Fiks Fare/ Ngacmoi seksualisht vartësen, emërohet fillimisht drejtor dhe më pas shef sigurie në Portin e Shëngjinit

06/07/2022 20:40

Fiks Fare denoncoi një ngacmim seksual që ka ndodhur brenda një institucioni shtetëror. Madje, këtë faktin e ka bërë po një institucion shtetëror.

Por, eprori që ngacmoi seksualisht vartësen, jo vetëm që nuk u shkarkua apo ndëshkua, por u emërua fillimisht drejtor dhe më pas shef sigurie. Në redaksinë e emisionit investigativ Fiks Fare mbërritën informacione (në atë kohë) për drejtorin e Portit të Shëngjinit, Agustin Gjini.

Fillimisht, pasi ai rezultonte i arrestua në mars të vitit 2021 nga Policia e Lezhës për tjetërsimin e një sipërfaqe toke në Lezhë. Z.Gjini u arrestua pasi dyshohej se gjatë ushtrimit të detyrës si përgjegjës i Sektorit të Arkivit dhe Protokollit në ish-komunën Shëngjin, të ketë falsifikuar dokumentet, duke tjetërsuar një sipërfaqe toke në bregdetin e Shëngjinit, nga lloji i pasurisë rërë në arë.

Arrestimi dhe emërimi drejtor

Ndërkohë, z.Gjini në atë kohë, pasi u lirua nga gjykata dhe po hetohet në gjendje të lirë, u emërua Shef Sigurie në Portin e Shëngjinit në Lezhë. Ai ishte personi kyç për të gjitha lëvizjet në këtë port. Por, edhe në këtë pozicion, ai pati probleme. Në redaksinë e “Fiks Fare” mbërritën informacione se z.Gjini është akuzuar në Prokurorinë e Lezhës për ngacmim seksual nga një punonjëse e sigurisë së Portit të Shëngjinit.

Por, çfarë ka ndodhur?! Sipas dokumenteve që disponon emisioni investigativ Z.Gjini është ngritur në detyrë. Pavarësisht se është akuzuar për ngacmim seksual dhe tjetërsim pronash, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka emëruar z.Agustin Gjini drejtor të Portit të Shëngjinit. Në maj 2022, në QKB u ngarkua urdhri i emërimit në këtë post, i firmosur nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.  Pra, me dy akuza të rënda, që janë ende në hetim e sipër, ai u emërua drejtor i një porti. Një post kyç, pasi ka të bëjë me sigurinë!

Ngacmim seksual në zyrat shtetërore

Fiks Fare kontaktoi me ish-punonjësen E.Sh, e cila pranoi ngacmimin seksual nga Agusin Gjini. Sipas saj, çështja është ende nën hetim, ndërsa për këtë rast ka pasur edhe një vendim nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Redaksia e emisionit investigativ ka siguruar vendimin e komisionerit, ku në fund u faktua I gjithë ngacmimi seksual. Ja çfarë shkruhet në këtë vendim: “Ankuesja pretendon se problemin e sipërcituar, ajo ia ka bërë të ditur eprorit të saj të drejtpërdrejtë, z. A.Gj., i cili jo vetëm që nuk i ka dhënë zgjidhje, por përkundrazi ka reflektuar sjellje ngacmuese me natyrë seksuale ndaj saj, të cilat konsistojnë në biseda në aplikacionin WhatsApp, si dhe në biseda të drejtpërdrejta me të. Ankuesja pretendon se z. A.Gj.e ka fyer dhe madje ka tentuar ta godasë edhe në prani të punonjësve të tjerë. Znj. E. Sh. pretendon se, në kushtet kur z. A.Gj., është ndodhur para refuzimit të saj, nuk ka pranuar t’I japë pagesën shtesë për orët e turnit të tretë”.

Në ambientet e Komisionerit është mbajtur një seancë mes palëve, ku Agustin Gjini, i pyetur mbi tabulatet e mesazheve në aplikacionin WhatsApp, të depozituara në cilësi provë nga ankuesja, z. Agustin Gjini fillimisht u shpreh se edhe mund të ishin, por në vijim ndryshoi mendim duke u shprehur se nuk ishin të tijat dhe se për ato tabulate do të përgjigjej vetëm para prokurorisë, pasi çështja ishte në hetim nga ky institucion.

Komisioneri është mbështetur në bisedat e zbardhura në Aktin e Ekspertimi të Qendrës së Ekspertimeve Kompjuterike Ligjore Tiranë, përgjatë periudhës kohore 28.04.2020, ora 18:56 deri në datën 16.09.2020 ora 14:56. Këto biseda ndërmjet znj. E. Sh. Me z. A.Gj. janë shkëmbyer në aplikacionin WhatsApp, si dhe në 43 mesazhe. Nga analizimi i bisedave të tyre, Komisioneri konstatoi një marrëdhënie aspak normale ndërmjet eprorit dhe vartëses së tij. A,Gj., herë pas herë përdorte fjalë dhe shprehje provokuese me natyrë seksuale, shpesh herë edhe ofenduese ndaj znj. E. Sh., si dhe shpesh i bëhen edhe “ftesa” aspak normale. Komisioneri gjykon se kjo sjellje dhe ky komunikim nuk është aspak normal, ndërmjet eprorit dhe vartëses”

Në fund, Komisioneri vendosi konstatimin e diskriminimit për shkak të gjinisë, në formën e shqetësimit seksual, të znj. E. Sh., nga z. A.Gj., me detyrë Shef i Sigurisë së Portit Detar Shëngjin sh.a.

Komisioneri: Favoret seksuale, të dukshme

Por, si nisi ky hetim?! Gazetarët e Fiks Fare biseduan me z.Robert Gajda, Komisioner i Mbrojtjes nga Diskriminimi. Ai tha se është faktuar ngacmimi seksual mes ish-punonjëses dhe z.Agustin Gjini. Sipas tij, gjithçka ka qenë e provuar. “Kemi pasur një problem se nuk mund të konfirmonim nëse ishte nr i z.Gjini apo jo. Kemi pezulluar shqyrtimin dhe më pas kemi pritur kryerjen e aktit të ekspertimit nga prokuroria e Lezhës. Kjo akuzë konfirmoi se ishin nr e ankueses dhe të shefit. Gjithçka ka qenë e provuar. Drejtori në atë kohë i sigurisë në Portin e Shëngjinit i kërkonte favore seksuale kundrejt lehtësirave kësaj punonjëse. Dhe, në momentin që punonjësja nuk i përgjigjet, ai merr masë ndaj saj. Të gjitha janë të provuara” thotë komisioneri.

Sipas tij, ky vendim është i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe është dhënë në fund të 2021-shit. Gazetarët e pyesin se, pas 4 muajsh pas dhënies së këtij vendimi, në fillim të muajit maj 2022, ish-shefi i Sigurisë së Portit është emëruar drejtor i Portit të Shëngjinit, ai na thotë se “është shumë gabim”. “Eprorët e tij duhet të kishin parë të kaluarën e këtij drejtori!” pohon Komisioneri.

Gjini pranon problemet me punonjësen

Por, a vijon punën z.Gjini në Portin e Shëngjinit dhe a ka pasur probleme me këtë ish-punonjëse?! Gazetarët e Fiks Fare shkuan në këtë port për të pyetur punonjësit e tjerë. Të gjithë e pranojnë se ka pasur probleme mes ish punonjëses dhe Shefit të Sigurisë. Por, shefi aktual i sigurisë në këtë port shqetësohet shumë kur i përmendim emrin e ish-punonjëses. Madje, ai i thotë gazetares së Fiks Fare se do e shoqërojë në polici. Madje, e kërcënon se do të marrë masa. Gazetarja ankohet në drejtori. Pas disa minutash e takon vetë drejtori Agustin Gjini i cili pranon problemet me ish punonjësen. Ai thotë se “shefi aktual i sigurisë është budalla”, ndërsa pohon se do të marrë masa për këtë sjelle.

Fiks Fare pyeti në Portin e Shëngjinit, në Prokurorinë e Lezhës apo edhe në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për z.Agustin Gjini. Madje, edhe për ngritjet apo mbajtjen në detyrë. Pas interesimit, Ministria e Financave e ka shkarkuar z.Gjini nga detyra e drejtorit të Portit të Shëngjinit, por e ka emëruar sërish Shef Sigurie po në Portin e Shëngjinit. Në të njëjtin vend “krimi”. Madje, në një post që ka të bëjë me sigurinë, pasi ky port ka edhe pikë kalimi kufitar.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA