Shaun Pinner, njëri nga dy shtetasit britanikë të dënuar me vdekje nga autoritetet pro-ruse në Donjeck, e ka apeluar vendimin duke tentuar kështu t`i shpëtojë vdekjes me pushkatim.
Lajmin e konfirmoi për agjencinë ruse Interfax avokatja e Pinner, e cila tha se autoritetet tani do të kenë dy muaj kohë për të shqyrtuar kërkesën. “Nëse e refuzojnë, ne do të hartojmë një peticion për falje. Klienti e ka kërkuar këtë, dhe unë jam e detyruar ta coj deri në fund vullnetin e tij”, citohet të ketë thënë avokatja Yulia Tserkovnikova.
Pinner është një nga tre vullnetarët e huaj që përballen sot me vdekjen pas kapjes nga trupat ruse teksa luftonin në krah të forcave ukrainase. Edhe pse ata kanë shërbyer zyrtarisht në ushtrinë e Ukrainës, si Rusia ashtu edhe autoritetet e mbështetura prej saj në Donjeck, i kanë cilësuar si “mercenarë” dhe i kanë akuzuar për tentativë për marrjen e pushtetit me dhunë. Britaniku tjetër i zënë rob, Aiden Aslin, duket se synon gjithashtu të kundërshtojë vendimin, por nuk beson “ se apeli do të ketë rezultat pozitiv”.
Shtetasi maroken Brahim Saadoun, i burgosuri i tretë i dënuar me vdekje, thuhet gjithashtu se po përgatit të njëjtën kërkesë. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut publikoi dy ditë më parë masa të parakohshme që udhëzonin Rusinë të mos e zbatojë dënimin me vdekje ndaj dy britanikëve. Aslin dhe Pinner u kapën nga forcat e mbështetura nga Rusia në Mariupol, në muajin prill, gjatë luftimeve të ashpra për kontrollin e qytetit. Marokeni Saadun u dorëzua në mars, teksa luftonte në një qytet të vogël në rajonin e Donjeckut.
Britania, Kombet e Bashkuara, Ukraina dhe Gjermania i kanë dënuar njëzëri ashpër dënimet me vdekje të dhëna ushtarëve të huaj që luftuan në krah të trupave të Kievit.
Top Channel