“Çmendet moti”! Pas të nxehtit, nis stuhia e breshërit në Prishtinë

30/06/2022 17:22

Pas disa ditëve të nxehta, me temperature tej normales së stinës, këtë pasdite, Prishtina është mbërthyer nga një stuhi breshëri.

Për pasojë, ka një rënie të lehtë të temperaturave.

Muaji qershor, veçanërisht java e fundit e tij, është shoqëruar me masa ajrore të nxehta në Shqipëri dhe Kosovë, teksa vala e të nxehtit afrikan ka prekur rajonin.

Ndërkohë, fillimi i muajit korrik do të karakterizohet me mot pothuaj të ngjashëm me ditët e fundit të qershorit, si pasojë e temperaturave të larta dhe formimin e vranësirave në stadet e ulëta dhe të mesme të troposferës.

Qershori u përmbyll me dy goditje të masave të nxehta të ajrit nga Afrika Veriore, por që këto masa të ngjashme vazhdojnë të mbeten prezent mbi Gadishullin tonë deri më datë 6-7 korrik dhe vlerat e këtyre temperaturave të larta do të krijojnë kushte për stuhi lokale të përcjella me reshje dhe shkarkime rrufesh.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-34 gradë Celsius. Indeksi UV vazhdon të mbetet i lartë dhe bëjmë apel që të respektohen këshillat e IHMK dhe të IKSHP.

Do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë nga drejtimi i perëndimit dhe veriperëndimit, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Top Channel