Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli në një intervistë në emisionin Top Story në Top Channel rrëfeu hyrjen në politikën shqiptare.
Ai tha se e vetmja arsye që u bë pjesë e politikës është sporti dhe përmirësimi i tij në vendin tonë.
“Për sa i përket politikës një nga arsyet që Edi Rama më bindi në politikë ishte thjesht vetëm sporti. As e mendoja kurrë që një biznesmen, familjen e kishte në Amerikë t’i hynte politikës dhe kësaj politike që është në Shqipëri, por më bindi me dy fjalë. ‘Ato projektet e sportit duhet të vish këtu në krahun tim që ti t’i realizosh’. U bënë disa gjëra që nuk ishin bërë për 100 vjet në Shqipëri. U bënë dy qendra olimpike, kjo që jemi dhe qendra e Korçës, u bënë katër stadiume që s’ishin bërë në historinë e Shqipërisë, u bënë 100 palestra që s’ishin bërë në 100 vjet dhe u dhanë 5 milionë dollarë për sportin, këto ishin si pasojë e nxitjes sime për të futur fjalën sport në qeveri dhe parlament, se në fund të fundit sporti nuk është një garë që kush fiton dhe del i pari, sporti në vizionin tim është cilësi jete, edukim, imazhi i vendit, sportistët janë ambasadorët tanë më të mirë, sporti është edhe politikë”, tha Ylli.
Gjatë intervistës ai tregoi edhe marrëdhënien e mirë që kanë me komitetin e Kosovës.
“Ju e mbani mend sportin në momentin kur ekipi ynë ndeshej në Beograd, duhej të fliste Departamenti i Shtetit, duhej të fliste BE-ja, ishte një garë që duhej të ndërhynte politika në mes, urat e bashkëpunimit i lidh sporti. Me komitetin e Kosovës i kemi marrëdhëniet të jashtëzakonshme, jemi si një komitet, aktivitete të përbashkëta, ndajmë bursat, kualifikimet e trajnerëve, ne kemi 8, Kosova 8, ndajmë me njëri-tjetrin sepse përfitojmë nga njëri-tjetri, ata janë mirë në xhudo, ne në peshëngritje, atletikë e sporte të tjera, dhe takimet i bëjmë bashkarisht, unë kam bindjen që Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen një ditë”, theksoi Ylli.
Top Channel