24 orë para se Kuvendi me kërkesë të opozitës të marrë në shqyrtim fatin e mandatit të saj si deputete, ministrja Olta Xhaçka theu heshtjen. Si fillim mori në mbrojtje jo vetëm bashkëshortin, por edhe familjen e saj politike duke hedhur poshtë akuzat për konflikt interesi.
“Ky investim është një investim privat, në një truall privat, nga investitor privat. Nuk është përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë metër truall pronë publike për ndërtimin e këtij hoteli. Nuk kam shkelur asnjë ligj, as unë, as bashkëshorti im, as qeveria, as kryeministri e askush”.
Nga foltorja e Parlamentit, shefja e politikës së jashtme tregoi se çfarë ka përfituar bashkëshorti i saj biznesmen si investitor strategjik në jug të vendit.
“Siguri juridike, për të pasur përparësi në lidhjen e kontratës së përvitshme me bashkinë për të vënë zhezlongë përpara hotelit, përkundrejt pagesës. Me pak fjalë, si investitor strategjik, që po investon miliona, që do të punësojë me dhjetëra punonjës, që do të sjellë turistë e do të prodhojë ekonomi e të ardhura për atë zonë e më gjerë, ka përfituar të drejtën të vërë shezlongët në plazh. Këtë të drejtë ia njeh ligji, nuk ia dha Edi Rama, aq më pak gruaja ministre”.
Mandati i socialistes rrezikon të shkojë në Kushtetuese, por për ministren kjo lëvizje e opozitës është nul, duke kujtuar se gjykata ka folur për raste të ngjashme më parë.
“Që unë nuk jam në konflikt interesi këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, e cila në asnjë moment nuk i ka ndaluar familjarët e deputetëve apo ministrave që të merren me biznes”.
Opozita e sulmoi sërish ministren , por ajo refuzoi të replikojë me demokratët Gazment Bardhi dhe Agron Shehaj , nismëtarë të dy kërkesave të ndryshme që thelbin e kanë të njëjtë: heqjen e mandatit te deputes Olta Xhaçka.
Top Channel