E cilësuar si festë e bashkimit të trupit dhe mendjes, Dita Ndërkombëtare e Jogës është celebruar me ushtrime në sheshet kryesore në disa shtete.
Yoga është një praktikë e lashtë fizike, mendore dhe shpirtërore që ka origjinën në Indi dhe tani praktikohet në forma të ndryshme në mbarë botën.
Në Indi, kryeministri Narendra Modi bëri ushtrimet e jogës bashkë me mijëra pjesëmarrës në Pallatin Mysore.
Në Times Square në qytetin e Nju Jorkut, të pranishmit morën pjesë në shtatë seancat e jogës që u ofruan falas për të gjithë.
Në Izrael, të apasionuarit pas jogës zgjodhën natyrën e qetë pranë detit për të arritur bashkimin e trupit dhe shpirtit që synojnë me këtë aktivitet.
Tema e festës së këtij viti është ‘Yoga për njerëzimin’.
Pas dy vitesh pandemi me rregulla të ashpra anti Covid, këtë herë, njerëzit u grumbulluan në sheshe dhe parqe, pa kufizime.
Zyrtarët indianë thonë se gjatë periudhës të vështirë si pasojë e koronavirusit, miliona njerëz zgjodhën jogën si shoqëruesen e tyre gjatë izolimit, për të qëndruar të shëndetshëm dhe për të kapërcyer stresin dhe ankthin.
Fjala ‘yoga’ rrjedh nga sanskritishtja dhe do të thotë të bashkohesh dhe simbolizon bashkimin e trupit dhe ndërgjegjes.
Top Channel