Netanyahu përgatitet të takojë Trump, mediat amerikane: Po shqyrtohet mundësia e operacioneve në shkallë të gjerë kundër Iranit, por…

22/07/2026 19:02

Shtëpia e Bardhë dhe zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu po shqyrtojnë mundësinë e një takimi mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Netanyahut në Zyrën Ovale javën e ardhshme.

Megjithatë, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë dhe një burimi izraelit të cituar nga Axios, ende nuk është marrë një vendim zyrtar.

Sipas medias amerikane, Trump po vlerëson mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë kundër Iranit, të cilat mund të përfshijnë veprime të përbashkëta me Izraelin, në një skenar të ngjashëm me Operacionin Epic Fury, të nisur më 28 shkurt.

Burimet theksojnë se një takim mes Trump dhe Netanyahut mund të jetë vendimtar për hapat e ardhshëm të administratës amerikane, si edhe për koordinimin e veprimeve mes Uashingtonit dhe Jerusalemit.

Që nga rikthimi i Trump në presidencë rreth një vit e gjysmë më parë, Netanyahu ka zhvilluar gjashtë vizita në Zyrën Ovale, më shumë se çdo lider tjetër i huaj. Megjithatë, kryeministri izraelit përballet me kritika në rritje në Uashington, si nga demokratët, ashtu edhe nga një pjesë e aleatëve të Trump dhe mbështetësve të lëvizjes MAGA.

Sipas raportimit, Netanyahu kishte kërkuar një takim me Trump javën e kaluar, por kërkesa nuk u pranua. Më pas ai shtyu vizitën në Uashington. Tashmë, ai pritet të udhëtojë në kryeqytetin amerikan për të marrë pjesë në ceremonitë mortore të senatorit Lindsey Graham, që do të zhvillohen të martën në Kapitol dhe në Katedralen Kombëtare.

Zyra e kryeministrit izraelit dhe ambasada e Izraelit në Uashington nuk kanë komentuar raportimet.

Sipas Axios, administrata amerikane ndodhet përballë dy skenarëve kryesorë lidhur me konfliktin me Iranin. I pari është pranimi i një propozimi të ri për armëpushim, të ndërmjetësuar nga Katari, ndërsa i dyti parashikon nisjen e një operacioni të përbashkët ushtarak me Izraelin për të rritur presionin ndaj Teheranit.

Top Channel