Numri i të vdekurve nga ebola në Kongo tejkalon 1,000, alarm për epidemi

22/07/2026 22:55

Më shumë se 1,000 njerëz kanë vdekur nga shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, sipas agjencisë kryesore të shëndetit publik në Afrikë.

Ky është shpërthimi i Ebolës me rritjen më të shpejtë të regjistruar ndonjëherë, ndërsa konflikti, rezistenca nga komunitetet lokale dhe një përgjigje e pabarabartë nga autoritetet vazhdojnë të nxisin përhapjen e virusit.

Drejtori i përgjithshëm i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), Dr. Jean Casey, njoftoi se janë konfirmuar 1,031 vdekje, duke folur në një samit shëndetësor të mbajtur të mërkurën (22/07) në Ganë.

“Njerëzit po vdesin. Ata po vdesin sepse nuk kemi vaksina, nuk kemi ilaçe dhe nuk kemi fondet e nevojshme”, theksoi ai.

Deri të hënën, ishin regjistruar 2,473 raste , ndërsa të paktën 737 pacientë ishin shtruar në spital ose në izolim, sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë e Kongos.

Shpërthimi, i shpallur më 15 maj , është i ndryshëm nga shumica e shpërthimeve të mëparshme të virusit, pasi lloji Bundibugyo që e shkakton atë nuk ka vaksinë ose trajtim të miratuar. Gjithashtu, po regjistrohet shkalla më e shpejtë e vdekjeve nga çdo shpërthim i Ebolës i regjistruar ndonjëherë, madje krahasuar me atë në Afrikën Perëndimore nga viti 2013 deri në vitin 2016, i cili shkaktoi më shumë se 11,000 vdekje nga të paktën 28,000 raste, duke arritur në 1,000 vdekje pas rreth tetë muajsh.

Top Channel