Operacion i madh në Spanjë/ Policia zbulon arsenal me mbi 40 armë, 9 të arrestuar

22/07/2026 20:28

Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në Katalonjë, ku autoritetet spanjolle kanë goditur një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun e armëve.

Gjatë aksionit u arrestuan nëntë persona dhe u sekuestrua një arsenal i madh armësh, përfshirë edhe një bazukë dhe një granatë dore.

Operacioni u zhvillua nga forcat e Mossos d’Esquadra dhe Policia Nacional, me pjesëmarrjen e rreth 130 efektivëve. Sipas autoriteteve, oficerët hynë në disa ambiente të organizatës dhe zbuluan dy depo armësh, ku u gjetën më shumë se 40 armë zjarri.

Në mesin e armëve të sekuestruara ishin një armë luftarake, 38 pistoleta gjysmëautomatike, dy revolverë, katër pushkë dhe rreth 1.000 fishekë. Gjithashtu, policia konfiskoi një granatë dore, jelekë antiplumb, një mburojë balistike, një bazukë dhe 12 mijë euro para cash.

Sipas hetimeve, organizata drejtohej nga një person që ndodhet në burg, por që vazhdonte të koordinonte aktivitetin kriminal dhe t’u jepte urdhra anëtarëve të familjes së tij. Ai komunikonte rregullisht me botën e jashtme, ndërsa rrjeti merrej me blerjen, magazinimin dhe shitjen e armëve, duke përdorur kanale të fshehta për t’i reklamuar dhe për t’u dërguar fotografi klientëve të mundshëm.

Një nga vajzat e drejtuesit të grupit kishte rolin e promovueses së armëve, duke i fotografuar dhe filmuar ato për t’ua prezantuar blerësve. Ndërkohë, partnerja e tij transportonte armët me automjet në vendet e dakordësuara për dorëzimin e tyre, ndërsa negociatat zhvilloheshin nga vetë kreu i organizatës nga burgu.

Hetimi, i cili kishte nisur në janar, çoi në arrestimin e nëntë personave, pesë burra dhe katër gra, të moshës nga 20 deri në 48 vjeç. Paralelisht me operacionin në terren, autoritetet kryen edhe një kontroll brenda burgut ku ndodhej i dyshuari si organizator i rrjetit kriminal.

Autoritetet spanjolle bëjnë të ditur se hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera në kuadër të këtij operacioni.

Top Channel