Gjykata e Lartë tashmë ka 15 anëtarë nga 19 që duhet të ketë në total, pas dekretimit nga presidenti Ilir Meta të gjyqtarëve Margarita Buhali dhe Enton Dhimitri.

Dy emrat janë propozuar nga KLGJ për dy pozicionet e lira në fushën e të drejtës civile, të shpallura për kandidim që prej muajit shkurt të vitit 2020.

Ky është një tjetër hap pozitiv drejt funksionalitetit të plotë të Gjykatës së Lartë.

Kujtojmë se kuorumi për mbledhjen e Gjykatës së Lartë është plotësuar me dekretimin nga Meta të Sokol Ngresit. Ngresi u propozua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe u emërua për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative.

Gjykata e Lartë, pas pesë vitesh në pamundësi për ta ushtruar këtë funksion themelor të saj, tashmë mundet ndryshojë apo unifikojë praktikën gjyqësore.

Postimi i plotë i Presidencës:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në datën 10 qershor 2022, ka administruar propozimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e 2 (dy) anëtarëve të rinj në Gjykatën së Lartë, znj.Margarita Buhali dhe z.Enton Dhimitri, të cilët janë përzgjedhur për t`u emëruar në këtë Gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.

Presidenti Meta, pasi u njoh me vendimmarrjet respektive të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimet e përcjella nga ky organ, së bashku me praktikat dokumentare të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për dy pozicionet e lira në fushën e të drejtës civile, të shpallura për kandidim që prej muajit shkurt 2020, me vullnetin e plotë që Gjykata e Lartë të plotësohet me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së për dy kandidaturat e propozuara, ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimeve të KLGJ-së.

Për këto arsye, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pikat 11 dhe 13, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Presidenti Meta, përfundimisht ka pranuar propozimet e KLGJ-së, dhe:

Me Dekretin nr. 13697, datë 14.06.2022, ka vendosur që Margarita Buhali të emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë;

Me Dekretin nr. 13698, datë 14.06.2022, ka vendosur që, Enton Dhimitri të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Së bashku me këto 2 (dy) emërime të reja, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 15 anëtarë, nga 19 anëtarë, që kjo Gjykatë duhet të ketë në përbërjen e saj, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së. Ky është një tjetër hap pozitiv drejt funksionalitetit të plotë të Gjykatës së Lartë.

Pas 5-vitesh pamundësie për të ushtruar plotësisht funksionet themelore të saj, me këto 2 (dy) emërime të reja, mund të thuhet se Gjykata e Lartë ka dalë nga zona e rrezikut dhe e pamundësisë së funksionalitetit të plotë të saj për të përmbushur misionin dhe autoritetin sublim sipas Kushtetutës

Top Channel