Presidenti Laporta konfirmon ofertën për Julian Alvarez: E dimë që dëshiron të vijë te Barcelona, por nuk mund të presim pafund për të
Kufijtë njerëzorë janë ndërtuar për t’u testuar, por ajo që ndodhi këtë të dielë në rrugët e Londrës kalon çdo parashikim sportiv.
Keniani 30-vjeçar Sabastian Sawe nuk fitoi thjesht një garë, por kaloi në një dimension të ri duke u bërë atleti i parë në histori që thyen barrierën mitike të dy orëve në një maratonë zyrtare. Duke ndalur kronometrin në 1 orë, 59 minuta dhe 30 sekonda, ai shkërmoqi me 65 sekonda rekordin e mëparshëm të mbajtur nga i ndjeri Kelvin Kiptum, duke e kthyer këtë edicion në një ngjarje monumentale për atletikën botërore.
I pari që mundi të përfundojë një maratonë nën 1h59′ ishte keniani Eliud Kipchoge në 2019, gjatë projektit “Ineos159”, një “garë” e mbyllur për publikun e gjerë dhe kësisoj e pavlefshme për rekord botëror, realizuar në parkun Pratter të Vjenës, e financuar nga miliarderi britanik Jim Ratcliffe, pronar i kompanisë petrolifere INEOS, në bashkëpunim me Nike
Ndryshe nga eksperimentet e mëparshme të zhvilluara në kushte laboratorike të kontrolluara, arritja e Sawe erdhi në kushte reale gare dhe u ndërtua mbi një strategji taktike dhe fizike të përsosur. Treguesi më mbresëlënës i këtij suksesi ishte ritmi i tij në gjysmën e dytë të trasesë, të cilën e përshkoi ndjeshëm më shpejt se të parën. Megjithatë, ky rekord i jashtëzakonshëm nuk do të ishte i mundur pa presionin e vazhdueshëm të etiopianit Yomif Kejelcha. Të dy vrapuesit e kthyen pjesën e fundit të garës në një betejë epike nervash dhe rezistence, e cila e detyroi edhe Kejelchan të kalonte murin historik me kohën 1:59:41. Në çdo ditë tjetër, ky rezultat do ta bënte atë një hero absolut, por këtë herë e rendit si bashkë-protagonist të garës më të madhe të të gjitha kohërave, ndërsa podiumi u plotësua nga ugandezi Jacob Kiplimo.
Për të plotësuar panoramën e një dite të paprecedentë në kryeqytetin britanik, atletja etiopiane Tigst Assefa konfirmoi dominimin e saj absolut në elitën e femrave. Ajo triumfoi me kohën 2:15:41, duke thyer rekordin e mëparshëm botëror për garat ekskluzivisht për gra dhe duke mbrojtur me sukses titullin e saj. Edicioni i këtij viti i Maratonës së Londrës dëshmoi përfundimisht se inxhinieria e trupit të njeriut dhe vullneti sportiv ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre të fundit, duke i hapur rrugë një epoke të re.
Top Channel