“Nuk do e sulmoj Ramën, nuk më ka nxjerrë ai të kandidoj”/ Braçe: Tirana as po vetëqeveriset dhe as po qeveriset prej një viti

26/04/2026 12:00

Deputeti socialist Erion Braçe, ka reaguar lidhur me mundësinë e kandidimit të tij për zgjedhjet lokale në Tiranë. Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, ai shprehet se nuk ka folur me kryeministrin për kandidimin.

Braçe thotë se nuk e ka nxjerrë kryeministri të kanidojë ndërsa shton “nuk është sulm e nuk kam ndërmend të sulmoj Edi Ramën për këtë“.

Tirana e të gjithëve, përgjigje të gjitha aludimeve të dy javëve; nuk kam folur me Edi Ramën për kandidimin tim; nuk më ka nxjerrë edi rama të kandidoj; interesi im, parimet, çështjet e lidhura me to, shërbimi ndaj qytetit, jo sulmi ndaj kujtdo; po e përsëris: unë nuk luaj, nuk tallem me kërkënd; as me qytetin e as popullin e tij!

Jooo, nuk kam folur me Edi Ramën për kandidimin tim; nuk është mungesë respekti; përkundrazi është respekt ndaj asaj që është – kryetari i ps, i pari i barabartë mes të barabartëve në një parti që duhet të zgjedhë me votë të anëtarëve, simpatizantëve, të majtëve në tërësi, njerëzit që ata duan që t’i përfaqësojnë dhe rrugën që duhet të ndjekin. janë parime të gushtit 2005 që bëjnë ndryshimin dhe unë i qëndroj, veçanërisht kur u bë kohë që gara, merita, vota, janë zëvendësuar me njoftime në mur, të kryera, e që kanë bërë njerëz të pa votuar e të pa votueshëm, drejtues në nivele të ndryshme.

Jooo, nuk më ka nxjerrë Edi Rama të kandidoj, nisur nga nevoja të tij, të PS në këtë moment, të miat si nder apo qokë, nevoja për të larguar në këtë mënyrë ogerta manastirliun nga kjo, të themi, garë; kush më njeh e di fare mirë që nëse do të ishin këto arsyet, unë i pari do të refuzoja, siç e kam bërë shpesh në kohë të ndryshme. dua t’u kujtoj se mendimin për të kandiduar e kam shprehur qartë në mbledhjen e asamblesë së PS të njësisë 5; pra në strukturat e PS- jo jashtë saj, ka qenë një mendim i pjekur dhe një përgjigje për mijëra njerëz të këtij qyteti që kam takuar në lagjet e rrugët e tij, përgjigje edhe ndaj mijëra socialistëve të këtij qyteti me të cilët e kam diskutuar këtë. për të qartësuar, kam kërkuar një proces të gjerë, përfshirës, demokratik e jo favor-qokë karriere!

Joo, nuk është sulm e nuk kam ndërmend të sulmoj Edi Ramën për këtë; në kaq vite në politikë e shërbim publik, nuk merrem me njerëzit, personin, individin, merrem me parimet, çështjet që burojnë e lidhen me mënyrën si parimet zbatohen dhe që kanë ndikim në jetët e njerëzve. dua ta them, i jam përgjigjur nevojave të këtij qyteti prej një viti, në mënyrë sporadike edhe më herët. tani është më rëndë: ky qytet as po vetëqeveriset dhe as po qeveriset prej një viti. është në rënie të lirë në çdo aspekt, veçanërisht ligji e rregulli, shërbimet për popullin e tij. ky është shqetësimi im, atë dua të përball; reformimi i plotë i proceseve dhe rikthimi i një shërbimi më të mirë për ta bërë qytet të të gjithëve, jo thjesht të atyre që vetëm përfitojnë. pra qëllimi im është t’i kthej qytetit punën që në krye të tij, jo sulmin – sulmet ndaj gjithkujt; siç po e bëj çdo ditë në njësinë 5 deputetin që nuk e kishte prej 4 vitesh, ashtu do të bëj kryepunëtorin për qytetin e popullin e tij!“-shkruan Braçe.

 

Top Channel