Thoma Gëllçi, drejtor i përgjithshëm i televizionit publik gjatë viteve 2016-2021 u shpall fajtor nga Gjykata e Posaçme mbi akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë procedurës së prokurimit për blerje pajisjesh për kanalin RTSH AGRO, me vlerë 87 milionë lekë.
Ai u dënua me dy vite burgim, që për shkak të gjykimit të shkurtuar zbresin në një vit e katër muaj burgim. Gjykata deklaroi se Gëllçi duhet ta vuajë këtë dënim në një burg të sigurisë së zakonshme dhe se për pesë vite i ndalohet të angazhohet në funksione publike. Avokati Dorjan Matlia përsëriti pafajësinë e klientit të tij me këmbënguljen se në gjykatat më të larta do të zbulojnë çfarë fshihet pas kësaj çështjeje.
Veç Gëllcit, u dënuan edhe tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave që morën nga një vit burgim. Ervin Murrja, Alban Malaveçi dhe Julian Tapia akuzohen për shkelje të barazisë në tendera në favor të kompanisë së përzgjedhur si fituese.
Sipas hetimit të SPAK, shkresat tregojnë se pas nënshkrimit të kontratës për blerje pajisjesh, ato u kaluan në magazinat audiovizive Kukës, Gjirokastër, Shkodër. Kontrata duhej të zbatohej brenda datës 6 shkurt dhe sipas SPAK në 15 shkurt 2019 ish-drejtori i i përgjithshëm i RTSH, Thoma Gëllçi, nënshkroi kontratën shtesë, duke e zgjatur afatin deri në 22 shkurt 2019.
Top Channel