Homazhet në nder të ish-Presidentit Bujar Nishani po mbahen këtë të mërkurë në Presidencë.
Arkëmorti është vendosur në sallën “Skënderbeu”, ku familjarët po presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq e dashamirës të ish-presidentit. Homazhet do të zhvillohen për dy ditë me radhë.
Të enjten e 2 qershorit në harkun kohor 10:00-12:00 do zhvillohen homazhe sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit.
Arkëmorti i presidentit Nishani do ta lerë Presidencën në orën 12:00 për t’ju drejtuar varrezave të Sharrës për ceremoninë e varrimit.
Programi i ceremonisë së homazheve në nder të ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani
Dt. 1 qershor 2022 (e mërkurë)
– Mbërritja e arkemortit me trupin e Presidentit Bujar Nishani në Tiranë herët në mëngjes dhe do të vendoset Sallën “Skënderbeu” të Institucionit e Presidentit.
– Paradite ora 10:00-14.00 dhe pasdite 16.30-22.00, familja do të presë vizitat e rastit dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës.
Dt. 2 qershor 2022 (e enjte)
Ora 10:00-12.00 Homazhet zyrtare sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit.
Pas orës 12.00 arkemorti me trupin e Presidentit Nishani, i shoqëruar nga kortezhi mortor shkon në këmbë deri të Ura e Lanës, pastaj niset drejt varrezave të Sharrës ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit.
– Ceremonia e varrimit dhe fjalime lamtumire.
– Dreka mortore në nderim të të ndjerit President Bujar Nishani.
Ish-Presidenti Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56- vjeçare. Prej më shumë se një muaji ai u transferua nga spitali “Shefqet Ndroqi” në një spital në Gjermani për një trajtim më të specializuar, por sipas mjekëve atje ra në gjendje kome.
Nishani u shtrua në ish Sanatoriumin e Tiranës në datën 20 prill për shkak të komplikacioneve të një pneumonie të mbivendosur mbi fibrozat post covid në mushkëri. Në 23 prill u zhvendos në Gjermani.
Nishani vuante nga një sëmundje autoimune në mushkëri dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi i Covid-19 i la në organizëm.
Ai është i dyti ish President shqiptar pas Ramiz Alisë që ndahet nga jeta. Ish-presidenti i parë pluralist pas viteve ’90, Ramiz Alia është përcjellë në 9 Tetor 2011 për në banesën e fundit ndërsa homazhet për nder të tij janë zhvilluar për një orë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë.
Atë kohë protokolli i shtetit zhvilloi një ceremoni zyrtare, por pa të shtëna armësh dhe pa bandë nderi e truprojë.
Top Channel