Vllaznia-Laçi/ Josa dhe Duro shuajnë dilemat, ja si rreshtohen skuadrat

31/05/2022 19:02

Finalja e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Laçit, është akti i fundit i sezonit në futbollin shqiptar, teksa në “Air Albania” do të përcaktohet jo vetëm fituesi i trofeut, por edhe skuadra që do të plotësojë katërshen europiane.

 

Të dy skuadrat drejtohen nga dy prej emrave më të njohur të trajningut në Shqipëri si Mirel Josa dhe Shpëtim Duro, të cilët kanë ditë që mendojnë për finalen e mbrëmjes së sotme dhe kanë ndarë mendjen edhe për formacionet që do të hedhin në fushë.

Kështu Josa konfirmon në fushë të njëjtin formacion që përdori edhe në javën e fundit të kampionatit ndaj Kastriotit, pra një rreshtim 4-2-3-1, që sipas rastit shndërrohet edhe në 4-3-3 apo 4-3-1-2.

Në portë luan i përhershmi Zogovic, teksa para tij rreshtohen kapiteni Gurishta në të djathtë, Hakaj në të majtë dhe Bulatovic e Adili në qendër. Në mesfushë krahas titullarëve të përhershëm Krymi e Jonuzi, aktivizohet edhe Heric pak më i avancuar, ndërsa treshja sulmuese përbëhet nga Latifi, Da Silva dhe Aralica.

Edhe trajneri Shpëtim Duro në kampin kurbinas, nuk ka dilema sa i përket formacionit, teksa skuadra rreshtohet me një 4-3-3 tipike të saj gjatë këtij sezoni. Në portë do të aktivizohet titullari Dajsinani, që ka bërë një sezon si protagonist, ndërsa para tij nga e djathta në të majtë janë Roganovic, Malota, Velovski e Ziko. Në mesfushë 3-shja Shehu, Adeleke e Deliaj, ndërsa sulmi do të udhëhiqet nga goleadori i Superiores, Guindo, i mbështetur nga Mazrekaj e Velija nga krahët.

Sfida Vllaznia-Laçi starton në orën 19:00, në ekranin e SuperSport 3, ku nuk mungon as emisioni dedikuar futbollit shqiptar “Gol pas Goli”, që do të përcjellë gjithçka nga finalja e Kupës së Shqipërisë.

Formacionet:

Vllaznia: Zogovic, Gurishta, Hakaj, Bulatovic, Adili, Krymi, Heric, Latifi, Da Silva, Aralica. Trajner: Mirel Josa.

Laçi: Dajsinani, Roganovic, Malota, Velkoski, Ziko, Deliu, Shehu, Velija, Adeleke, Mazrekaj, Guindo. Trajner: Shpwtim Duro.

Gjyqtar kryesor: Juxhin Xhaja.

Asistentë: Ilir Tartari, Dojando Myftari.
Gjyqar i katërt: Kreshnik Barjamaj.

VAR: Florian Lata, Nertil Bregasi.

Top Channel