Superiorja thotë sot fjalën e fundit, Vllaznia apo Kukësi në Europë?

26/05/2022 12:53

Nën ethet e finales së “Conference League” është eklipsuar disi java e fundit e “Abissnet Superiores”.

Java finale e kampionatit shqiptar ka ende verdikte të rëndësishme për të përcaktuar sa i përket pjesëmarrjes në Europë, gjithçka tjetër është zgjidhur: Tirana siguroi pak javë më parë titullin e 26-të në histori, ndërsa në një kategori më poshtë u rrëzuan Skënderbeu dhe Dinamo.

Garë e ethshme për një biletë kontinentale do të zhvillohet mes Kukësit dhe Vllaznisë, ndërsa vlen për t’u përmendur se Partizani e ka zyrtarizuar kualifikimin në Kupat e Europës, pavarësisht rezultatit në ndeshjen përfundimtare.

Përballjet më interesante janë pa dyshim mes Tiranës dhe Kukësit dhe ndërmjet Kastriotit dhe Vllaznisë. Në “Selman Stermasi”, bardheblutë do të organizojnë festën e madhe të titullit kampion me të ftuar specialë të ndryshëm, teksa do të provojnë të mos i zhgënjejnë tifozët e shumtë në numër me performancën në fushën e lojës. Nga ana tjetër, Kukësi e ka një sfidë vendimtare në kryeqytet. Të besuarit e Diego Longos duhet të fitojnë në mënyrë që të arrijnë të kualifikohen për në Europë pa u varur nga rezultati i rivalëve.

Kuqeblutë do të udhëtojnë drejt Kamzës për sfidën ndaj Kastriotit, një ndeshje që do të përcaktojë edhe objektivin mjaft të rëndësishëm. Ndërkaq, do të luhen edhe ndeshjet e tjera, të cilat kanë praktikisht një vlerë statistikore. Skënderbeu pret Teutën në Korçë, Laçi do të përballet ndaj Partizanit ndërkohë që Egnatia pret në Rrogozhinë Dinamon. Ndeshjet do të nisin në orën 17:00.

Top Channel