Guindo apo Seferi? Merr fund dilema, “Këpucën e Artë” e fiton sulmuesi i Laçit

26/05/2022 22:09

Taulant Seferi dhe Saliou Guindo e mbyllën sezonin në Abissnet Superiore me nga 19 gola. Sulmuesit e Tiranës dhe Laçit shkëlqyen dhe shënuan më shumë se të tjerët, por “Këpucën e Artë” e ka fituar goleadori i Laçit.

Rregullorja e FSHF-së e përcakton qartë se kush triumfon në këtë rast. “Nëse në përfundim të kampionatit kombëtar të futbollit, Abissnet Superiore, rezultojnë dy ose më shumë lojtarë me të njëjtin numër golash, zbatohen kritiret në vijim:

  • Golashënuesi më i mirë është lojtari që ka raportin (gola të shënuar gjithsej) për mbi (ndeshje të luajtura gjithsej) në sezonin përkatës, më të madh.
  • Golashënuesi më i mirë është lojtari që ka raportin (gola të shënuar gjithsej) për mbi (minuta të luajtura gjithsej) në sezonin përkatës, më të madh.
  • Nëse edhe pas zbatimit të kritereve më sipër ka baraspeshë, atëherë për të përcaktuar golashënuesin më të mirë FSHF do të hedhë short për të shpallur golashënuesin më të mirë të sezonit futbollistik.

Lojtari i kombëtares së Malit dhe Laçit, realizoi 19 gola në 33 ndeshje (2836 minuta), ndërsa sulmuesi i Tiranës shënoi 19 golat në 34 ndeshje (2991 minuta). Saliou Guindo shpallet golashënuesi më i mirë sezonal, teksa do të përfitojë edhe një shumë rreth 2 mijë euro.

Vjet u shpall Dejvi Bregu (Teuta) “Këpuca e Artë” e Superiores me 16 gola, ndërsa dy vite më parë triumfoi Kyrian Nwabueze (Laçi) me 24 gola. Hera e tretë që “Këpuca e Artë” zbarkon në Kurbin pas Altin Çukos me 21 gola (1996) dhe Nwabuezes me 24 gola (2020)./ SUPER SPORT

Top Channel