Arkitekti i stadiumit Marco Casamonti, krenar për Arenën Kombëtare

26/05/2022 19:41

Katër vite më parë Marco Casamonti do të më fliste në mënyrë eksklusive gjatë momentit që mes shumë polemikave stadiumi Air Albania ishte duke u ndërtuar. Sot pas katër vitesh, pas vizitash të shumta në Tiranë ai rikthehet krenar sidomos kur ky stadium ka arritur një famë të tillë në finalen e madhe Europa Conference League. Natyrisht ai shpreh të gjitha emocionet dhe patjetër krenarinë e krijesës së tij.

“Askush nga ne nuk e priste suksesin e jashtëzakonshëm të këtij stadium në botë dhe në europë. Duhet të them me pak krenari që suksesi I një ndërmarrjese shqiptare, sepse e ka ndërtuar një kompani shqiptare, suksesi I idesë së qeverisë për ta lënë stadiumin në qendër të qytetit dhe sigurisht dhe pak krenari e një arkitekti fiorentin që ka punuar mbi projektin e një tjetër arkitekti fiorentin si Gerardo Bosio, që është arkitekti që ka filluar projektin e stadiumit në vitet ’40.”- tha Marco Casamonti.

Por a ka stadiumi një rëndësi të veçantë krahasuar me projektet e tjera që një arkitekti i duhte të bëjë.

“Ne bëjmë shumë projekte rreth botës, projekte  të mëdha, por një stadium është një projekt shumë I rëndësishëm sepse është vendi ku komuniteti bëhet bashkë. Ku njerëzit dëfrejnë dhe bëjnë festë. Kjo është një krenari e madhe, u bë dhe koncerti I Ermal Metës, që do të thotë që është një stadium që funksionon edhe për koncerte.

Sa herë që vij në Tiranë nuk mund të bej pa kaluar tek stadium . Edhe nëse vij për arsye të tjera do ndalem dhe do e vizitoj. Sepse është një vepër që përfaqëson një periudhë të vështrë por të bukur jetës sime. Kthehem gjithmonë këtu me kënaqësi.”- tha Marco Casamonti

Zanafilla e stadiumit duhet kërkuar në gusht 1939, pak muaj pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, kur ministri i jashtëm italian i asaj kohe Galeazzo Ciano vendosi gurin e themelit. Ndërtimi i stadiumit kombëtar, përfundoi në vitin 1946, kur vendi kishte hyrë në periudhën e gjatë të komunizmit.

Kanë kaluar shumë dekada nga ajo kohë dhe Marco Casamonti la gjurmen e tij ne këtë pjesë të Tiranës.

Top Channel