Roma-Feyenoord ora 21:00, historia shkruhet në “Air Albania”

25/05/2022 10:35

538 ditë pas përzgjedhjes së kryeqytetit shqiptar për organizimin e finales së Ligës së Konferencës, Stadiumi Air Albania bëhet gati për të mirëpritur pikërisht takimin përcaktues ndërmjet Romës dhe Fejënordit, duel që do të kurorëzojë pra klubin e parë fitues në historinë e kompeticionit më të ri kontinental, në rang klubesh, UEFA Europa Conference League.

Në këtë mënyrë “Arena Kombëtare” do të bëhet stadiumi i parë shqiptar që do të ketë privilegjin për të pritur një finale të këtyre përmasave. Për hir të së vërtetës askush nuk e parashikonte një përfundim të tillë dhe mbi të gjitha në fillim të sezonit dukej vërtet e paimagjinueshme që një aktivitet si Liga e Konferencës të tërhiqte një vëmendje të tillë. Një kompeticion që u krijua enkas për t’iu dhënë mundësi edhe vendeve të tjera për t’u krenuar, apo për t’u mbushur me lavdi, por në fund mund të thuhet me plot gojën se për nga emrat ia dolën mbanë dy klube që do t’i kishte zili edhe vetë kompeticioni i dytë më i rëndësishëm continental, Europa League.

Mesjavën e kaluar stadiumi “Ramon Sanchez Pizjuan” i Seviljes priti pikërisht finalen Eintracht Frankfurt – Rangers, por është e qartë që për nga fama klube si Feyenoord-i dhe Roma qëndrojnë më lart. Kështu klubi i tretë më i rëndësishëm i futbollit holandez do të zbresë në Tiranë si fitues i Kupës së Kampioneve në sezonin 1969-70 dhe i dy Kupave UEFA, në edicionet e viteve 1973-74 dhe 2001-02.

Në krahun tjetër ndonëse Roma krenohet thjeshtë dhe vetëm me Kupën e Panaireve të fituar në sezonin 1960-61 verdhekuqtë përfaqësojnë klubin e vetëm në histori që ka shkuar deri në fazën gjysmëfinale të çdo lloj aktiviteti të organizuar nga UEFA, në Kupat e Evropës. Pra klubi roman ia ka dalë mbanë për të shkuar deri në katër skuadrat më të mira në: Kupën e Kampioneve, Champions League, Kupën e Kupave, Kupën e Panaireve, Kupën UEFA, Europa League apo dhe Ligën e Konferencës.

Në fakt Kupa e Panaireve ishte pikërisht kompeticioni që i hapi rrugë një dekadë më vonë aktivitetit tjetër të quajtur Kupa UEFA, por sidoqoftë një arritje e tillë në “Qytetin e Përjetshëm” përfaqëson një trofe që ka një kuptim të veçantë, duke marrë parasysh faktin që Roma ka triumfuar në vetëm 1 nga 40 sezonet e fundit të Serisë A, e mbi të gjitha verdhekuqtë nuk fitojnë një trofe prej plot 14 vjetësh.

Luciano Spalletti ishte trajneri i fundit që e çoi Romën deri te lavdia, pas fitores 2-1 ndaj Interit të Roberto Mancinit, në finalen e Kupës së Italisë, për sa i përket sezonit 2007-08, finale që u zhvillua si për ironi të fatit pikërisht në shtëpi, në “Stadio Olimpico’. Pa atë barazim në Liguria ndaj Spezias, javën përmbyllëse të kampionatit të kaluar në Serie A, verdhekuqtë në këtë sezon të fundit nuk do të kishin fare lidhje me Kupat e Evropës, gjithsesi tani është momenti për të përfituar dhe në “Qytetin e Përjetshëm” tifozët janë në delir për një arritje të tillë.

Në anën tjetër klubi i famshëm nga Roterdami nuk fiton trofe që nga viti 2018, kur bardhekuqtë triumfuan në KNVB Beker, që nënkupton Kupën e Holandës, si dhe në Superkupën e vendit, pak muaj më vonë. Krerët e UEFA-s kanë mbetur vërtet të shtangur nga suksesi që ka arritur një kompeticion i tillë, për më tepër që në sezonin e debutimit. Drejtuesit më të lartë të Qeverisë Evropiane të Futbollit u ndërgjegjësuan për një fakt të tillë pak a shumë që në fazën gjysmëfinale, ku mbetën rrugës dy klube si Leicester City, që gjashtë vjet më parë u kurorëzua me titullin në Premier League apo dhe Olimpiku i Marsejës, që sivjet në Le Championnat e mbylli ligën franceze vetëm pas kampionëve të Paris SG.

Një formulë fituese për UEFA-n por natyrisht edhe një sukses e një arritje e jashtëzakonshme edhe për një vend si Shqipëria, që futet më në fund në hartën e shteteve që kanë pasur favorin për të organizuar një finale të Kupave të Evropës. Një meritë e veçantë shkon padyshim edhe për vetë Presidentin e sapo konfirmuar të Federatës Shqiptare të Futbollit, Zotin Armand Duka, që si pjesë e rëndësishme e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s influencoi për t’i dhënë një mundësi të tillë Shqipërisë.

Kryeqyteti i vendit është gati dhe për hir të së vërtetës një finale e këtyre përmasave përbën një reklamë të shkëlqyer për ne. Janë marrë të gjitha masat për një shfaqje të madhe, falë ndihmës së kuptueshme të emisarëve të UEFA-s, që prej kohësh ka dërguar delegacione të ndryshme për mbarëvajtjen dhe organizimin deri në detaje të kësaj finaleje, ku sigurisht ndihet edhe përkujdesja e vetë Kryeministrit Edi Rama, Kryebashkiakut Erion Veliaj apo dhe puna e palodhur e 400 vullnetarëve të përzgjedhur enkas për një event të tillë. Për një finale të tillë në 3 dhjetorin e vitit 2020 Tirana dhe Stadiumi “Air Albania” mundën në votimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s kandidaturat e tjera të Saint – Etienne në Francë, Heraklionit në Greqi dhe Shkupit në Maqedoninë e Veriut.

Finalja e Ligës së Konferencës do të luhet pra të mërkurën në mbrëmje, në orën 21:00 në Arenën Kombëtare dhe përgjegjësia e gjykimit të ndeshjes së fundit të edicionit hapës të UEFA Europa Conference League i është ngarkuar 37-vjeçarit rumun, me origjinë hungareze Istvan Kovacz, që do të ndihmohet gjithashtu edhe në Sistemin VAR nga 44-vjeçari gjerman Marco Fritz./ Supersport

Top Channel