Pak para finales së madhe të “Conference League” Kryebashkiaku Veliaj takon homologun e Romës dhe Rotterdamit; Veliaj: “Sot duhet të fitojë sporti, qytetaria dhe respekti”

25/05/2022 20:19

Teksa na ndajnë pak minuta nga finalja e madhe e “Conference Legue” mes Romës dhe Feyenoord në stadiumin “Air Albania”, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në zyrë dy homologët e tij, kryetarin e Bashkisë së Rotterdamit, Ahmed Aboutaleb dhe kryetarin e Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri.

Kryebashkiaku Veliaj dha mesazhin se sot duhet të fitojë sporti, qytetaria dhe respekti, ndërsa u bëri thirrje tifozëve të dy skuadrave që të festojnë me masë.

“Është kënaqësi e veçantë që jemi bërë të tre kryetarët e bashkisë bashkë këtu në Tiranë. Ne duam që sot të fitojë sporti, të fitojë qytetaria, të fitojë respekti. Si kryetarë bashkie ne jemi shumë xhelozë për qytetet tona. Nuk duam të këputet një degë, të ketë ndotje apo të ketë konflikt. Kështu që si kryetarë bashkie shumë të përkushtuar për cilësinë e jetës dhe të harmonisë në qytetet tona, i bëjmë një thirrje të gjithë tifozëve që do të jenë pjesë e festimeve që çdo gjë të bëhet me masë, që çdo gjë është e bukur është ajo që ndodh me masë. Pije me masë, festimin me masë, të bërtiturat me masë dhe sigurisht respektin për qytetin edhe për ekipet kundërshtare. Sigurisht që një ekip do të fitojë, por është shumë e rëndësishme që përtej kupës të jenë kujtimet ato që do të mbeten në jetë. Dhe ne të tre dhe Tirana dhe Rotterdami dhe Roma jemi të përkushtuar që kjo të jetë një histori suksesi”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri tha se është një festë e madhe sporti, miqësie dhe solidariteti që duhet shijuar sa më shumë.
“Është një gëzim i madh për mua të jem këtu në Tiranë, i ftuar i kryebashkiakut, se bashku me kryebashkiakun e Roterdamit, në këtë festë të madhe sporti, miqësie, dhe solidariteti. Ndërkohë që i bëj thirrje të gjithë tifozëve që të respektojnë vlerat dhe principet e sportit. Sporti është i bukur sepse i afron njerëzit, dhe ndaj duam që kjo të jetë një festë. U bëjmë thirrje tifozëve që ta shijojmë sa më shumë këtë festë të bukur sportive”, përfundoi Gualtieri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA