3.4 milionë eurot që u gjetën në dy makinat “Toyta Yaris”, tre vite më parë në Portin e Durrësit janë konfiskuar, duke i kaluar kështu shtetit.
Kjo çështje në fillim u përdor si një “kalë beteje” nga opozita shqiptare për të akuzuar ashpër kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha denoncoi në Kuvend, dy ditë para se të bllokoheshin në portin e Durrësit automjetet që vinin nga Belgjika, në të cilat ishte fshehur shuma prej 3.4 milionë eurosh.
Taulant Balla e paditi Lulzim Bashën për shpifje, lidhur me deklaratat që ky i fundit bëri në Kuvend, se shuma e 3.4 milionë eurove e zbuluar në dy makinat ‘Toyota Yaris’ i përkiste kreut të grupit socialist. Lulzim Basha u dënua nga gjykata me 50 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj Taulant Ballës.
Sa u përket hetimeve, Gjykata e Tiranës më 19 tetor ka dënuar me një vit e gjashtë muaj burg Ervis Vladin. Kjo për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në dy mjetet tip “Toyota Yaris”. Këto të fundit kishin mbërritur në Portin e Durrësit nga Belgjika. Vladi ishte një ndër gjashtë personat të cilët u hetuan për këtë çështje.
Fillimisht të gjithë u hetuan për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal, por gjykata e ka dënuar Vladin, duke e shpallur dhe fajtor për veprën penale “Mosdeklarim të ardhurash në kufi ose sendeve me vlerë”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të dënohet me vetëm një vit burg.
Në të njëjtën dosje u dënua edhe Agim Çeka për “Armëmbajtje pa leje” me dy vjet e katër muaj heqje lirie.
Në qershor të vitit 2018, policia gjeti dhe sekuestroi dy makinat, ku u gjend dhe shuma e parave.
Kjo çështje ka trazuar dhe politikën në atë kohë. Kreu i demokratëve Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit deklaronte për miliona euro të krimit, që po vinin në Shqipëri përmes automjeteve “Toyota”.
Tre ditë pas deklaratës së Bashës, në Durrës u kapën dy makina “Toyota Yaris” me disa miliona euro brenda tyre. Tre persona u arrestuan, dy shoferët dhe administratori i kompanisë që transportoi makinat.
Fillimisht, hetimet nisën nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ajo arrestoi dhe nxori masa sigurie për gjashtë persona si të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.
Por më pas, Prokuroria shpalli moskompetencë dhe e kaloi dosjen në Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit vlerësoi se nuk qëndronte akuza e mosdeklarimit të të hollave në kufi për të gjithë personat.
Në fakt dosja e ”Toyota Yaris” ishte objekt hetimi në katër shtete, mes të cilave edhe në Britaninë e Madhe, për sa kohë njëri rezultoi të ketë qenë i dyshuar për trafik kokaine.
Top Channel