“Topi i Artë” i fundit uron Milanin për titullin, komplimente edhe nga Donnarumma

23/05/2022 09:21

Tifozët e Milanit shijuan një fundjavë fantastike. Fitorja 0-3 ndaj Sassuolos riktheu titullin kampion në Milanello pas 11 vitesh, teksa ishte hera e 19-të në histori që kuqezinjtë fituan Serie A.

Të shumta kanë qenë urimet për triumfin e jashtëzakonshëm të “Djallit”. Kaka, një nga legjendat e Milanit, ka zgjedhur të urojë klubin e tij të zemrës dhe tifozët me anë të një postimi në Twitter.

Jemi ne, jemi ne, kampionët e Italisë jemi ne”, shkruan braziliani, i cili fitoi gjithçka me skuadrën italiane: Champions League, titullin kampion dhe “Topin e Artë”, ndërkohë që mbetet një nga idhujt e popullit kuqezi.

Nuk ka munguar as urimi i Gigio Donnarummës. Ish-portieri i Milanit ka postuar në Instagram një “story” ku dallohet Ibrahimovic duke festuar me tifozët.

23-vjeçari thjesht shtoi tre duartrokitje, pa shkruar asgjë tjetër për suksesin e klubit që i dha mundësinë të bëhej ky që është sot.

Top Channel