“I kam fituar të gjitha finalet europiane”, Mourinho: Ndeshja në Tiranë për ne është si Champions League

23/05/2022 16:16

Finalja në Tiranë po afron dhe Jose Mourinho i kërkon Romës përpjekjen e fundit për të ngritur trofeun e Conference League.

“Mundësitë për të fituar në finale janë 50%-50%, por ne do të bëjmë çmos për të marrë 51%-49%. Puna që çon në finale gjatë disa muajve është baza për ato 90 ose 120 minuta. Dita e finales është dita e lojtarëve. Unë kam qenë me fat deri më tani duke fituar të gjitha finalet e mia evropiane, lojtarët e mi në momentin e së vërtetës kanë qenë gjithmonë aty“,-tha trajneri portugez për faqen e UEFA-s.

Më tej, duke folur për ndeshjen që do të luhet më 25 maj në “Air Albania”, portugezi theksoi se për të ajo është njësoj si finalja e Champions League.

“Conference League këtë sezon për ne është si Champions League.  Ky është niveli në të cilin jemi, gara në të cilën po luajmë. Dhe klubi nuk ka pasur një mundësi të tillë për një kohë të gjatë. Finalja duhet të trajtohet si një ndeshje personale. Kjo sjell presion tension dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Duhet të mendojmë vetëm për finalen dhe kundërshtarët me të cilët përballemi. Sa mirë do të ishte për qytetin, klubin dhe të gjithë ne nëse do ta fitonim ndeshjen.”-shtoi ai.

Sa i përket të ardhmes së tij dhe dëshirës për të vazhduar punën si trajner, kreu i stolit të “verdhekuqve” deklaroi se pasioni nuk ndryshon asnjëherë pavarësisht viteve që kalojnë.

“Nuk mund ta besoj që jam 59 vjeç dhe kam një karrierë prej 21 apo 22 vitesh si trajner. Nuk mund të them se kur do të ndalem sepse nuk mund ta imagjinoj. Pasioni nuk ndryshon”-theksoi Jose Mourinho.

Top Channel