Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka propozuar krijimin e një Bashkësie gjeopolitike evropiane, në të cilën do të përfshiheshin vendet evropiane që ende nuk janë anëtare të BE-së. Kjo do të përfshinte edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në të njëjtën kohë, Michel ka konfirmuar se më 23 qershor në Bruksel do të zhvillohet një samit i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Burimet në Bruksel pohojnë se ky samit do të jetë ai që presidenti i Francës, Emanuel Macron, e kishte paralajmëruar kur vendi i tij mori kryesimin e radhës të BE-së, që përfundon në fund të qershorit për t’ia dorëzuar këtë detyrë Çekisë për gjysmën e dytë të këtij viti.

“Ekziston një bashkësi gjeopolitike, e cila përfshinë hapësirën nga Rejkjaviku deri në Baku apo Jerevan, nga Oslo deri në Ankara. Jam thellësisht i bindur se nga kjo hapësirë gjeopolitike duhet konfirmuar një realitet politik. Dhe, këtë duhet bërë menjëherë”, ka thënë Michel, duke folur në Komitetin social dhe ekonomik evropian mbrëmjen e së mërkurës.

Për t’i parandaluar spekulimet se këto ide mund të shihen si alternativë për anëtarësimin në BE të vendeve që janë në procesin e zgjerimit, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se në asnjë mënyrë kjo ide nuk e ka qëllimin për të zëvendësuar procesin e tashëm të zgjerimit, por vendet gradualisht do të përfshiheshin në disa politika sektoriale të BE-së në bazë të përparimit që bëjnë në procesin e negociatave të anëtarësimit.

“Dua të jem krejtësisht i qartë që në fillim. Kjo iniciativë në asnjë mënyrë nuk shkon në drejtim të zëvendësimit të zgjerimit apo të krijojë argument të ri për ngadalësim të procesit. Po ashtu, për ato vende që marrin pjesë në Bashkësinë gjeopolitike evropiane kjo nuk është garanci se një ditë do të jenë anëtare të BE-së”, ka deklaruar Michel.

Ai, madje, ka thënë se “duhet përshpejtuar procesin e zgjerimit të BE-së”, por ka mbështetur edhe idetë për “reversibilitet”, pra që një shtet i cili nuk do të vazhdojë t’i përmbushë kriteret, të kthehet prapa në proces. Michel ka thënë se një qasje e tillë do të përshpejtonte procesin e reformave te vendet kandidate.

Sipas presidentit të Këshillit Evropian, drejtimin e një “Bashkësie gjeopolitike evropiane” do ta kenë shefat e shteteve apo qeverive që marrin pjesë dhe ata do të takoheshin së paku dy herë në vit. Fushat kryesore të angazhimit do të ishin bashkëpunimi në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Michel ka thënë se ai ka nisur tashmë konsultimet me 27 liderët e vendeve anëtare të BE-së, ndërsa në një samit më 23 qershor në Bruksel do të diskutojë për këtë edhe me kolegët nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të zhvillohet në ditën kur nis edhe samiti i rregullt i BE-së, më 23 dhe 24 qershor.

Michel ka paralajmëruar se do të propozojë që gjatë verës të zhvillohet edhe një samit i veçantë ku do të mblidheshin liderët e BE-së dhe ata të vendeve partnere për të diskutuar rreth propozimit të tij.

Ideja e paraqitur nga Michel është në linjë me një ide të ngjashme që kohë më parë e kishte paraqitur Presidenti i Francës, Emanuel Macron, për krijimin e “Bashkësisë politike evropiane”.

Duke folur në Strasburg në Ditën e Evropës më 9 Maj, dhe në përmbyllje të konferencës për të ardhmen e Evropës, Macron kishte përmendur kohëzgjatjen e procesit të zgjerimit, sipas procedurave aktuale, si argument për të propozuar ide për aranzhime të reja të raporteve mes BE-së dhe vendeve që duan “të ndajnë të njëjtat vlera”.

“Të gjithë ne e dimë shumë mirë se procesi për anëtarësimin do të marrë disa vite, në fakt ndoshta disa dekada”, pati thënë atëherë Macron duke nënvizuar se, sipas tij, “BE nuk është i vetmi format për të strukturuar kontinentin evropian në një afat të shkurtër”. Duke propozuar Bashkësinë politike evropiane, ai kishte thënë se ajo do të ishte e hapur për të gjitha vendet evropiane, përfshirë edhe ata që janë larguar nga BE-ja. Për momentin, e tillë është vetëm Britania e Madhe.

Edhe ideja e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, lë hapësirë që në një Bashkësi që do të formohej, të përfshihen të gjitha vendet e interesuara evropiane, pa marrë parasysh a janë apo jo anëtare të BE-së, kandidate për anëtarësim apo nuk kanë aspirata për t’u bërë anëtare formale.

Njohësit e politikave të Bashkimit Evropian kanë thënë se propozimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për krijimin e një organizate të re politike me qëllim të bashkimit të vendeve që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut, është një përpjekje e tij për ndaluar zgjerimin e BE-së.

Toby Vogel, analist dhe ekspert për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor me bazë në Bruksel, ka vlerësuar se Macron, përmes kësaj ideje, shpërfaq kundërshtimet që ka në raport me anëtarësimin e shteteve të reja në BE.

Edhe Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, idenë e prezantuar nga presidenti francez e sheh më shumë si një tendencë për të shuar procesin e zgjerimit.

Franca kundërshtoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2019. Macron tha atëbotë se këto shtete duhej të bënin ende progres./rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA