Presidenti francez Emmanuel Macron mbrojti të enjten idenë e tij për një “bashkësi politike evropiane” të kombeve që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, duke thënë se ideja e tij nuk kishte për qëllim të ishte një alternativë ndaj anëtarësimit në bllok. Macron i sqaroi këto deklarata të tij gjatë një konference me presidenten Moldave , Maia Sandu.
“Më 9 maj në Parlamentin Evropian, propozova një projekt për një komunitet politik evropian që synon të krijojë një kornizë të re për strukturimin e bashkëpunimit, duke bashkuar kombet demokratike evropiane që i përmbahen grupit tonë të vlerave dhe që mund të aspirojnë ose jo për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ky komunitet nuk është një alternativë ndaj procesit të anëtarësimit, por një plotësues i cili, pavarësisht nga ai, lejon një strukturim më të fortë të marrëdhënieve politike, energjetike dhe investuese me disa vende që dëshirojnë një gjë të tillë”, tha Macron.
Ai i tha Sandu, se ka një rrezik që konflikti në Ukrainë të prek edhe Moldavinë.
“Takimi ynë sot zhvillohet në një kontekst veçanërisht dramatik. Agresioni i papranueshëm i Ukrainës nga Rusia është një kërcënim për stabilitetin e të gjithë rajonit dhe në veçanti për Moldavinë. Incidentet e fundit në rajonin Transnistrian të Republikës së Moldavisë tregojnë se një përhapje e konfliktit për vendet fqinje nuk mund të përjashtohet”, shtoi më tej Macron.
Ndërkohë Sandu vlerësoi idenë e një “komuniteti politik” që ajo e shihte si të mundshme për të përshpejtuar përpjekjen e Moldavisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
“Ne e kuptojmë se procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe kompleks dhe kërkon shumë përpjekje dhe shumë punë. Ne nuk po kërkojmë rrugë të shkurtra”, tha Sandu.
Top Channel