Shqipëria, si anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës, që prej ditëve të para të pushtimit.

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, ka bërë jehonë në mediet ndërkombëtare me fjalimet e tij para në Këshillin e Sigurimit, ku ka ngritur zërin kundër agresionit rus.

Ambasadori rus dëgjonte në heshtje akuzat dhe kërkesën e Hoxhës për të hetuar Rusinë për krime lufte ndaj civilëve në Ukrainë.

Por Ferit Hoxha, në një intervistë me gazetarin Sokol Balla thotë se Shqipëria duhet patjetër të paraqiste qëndrimin e saj të qartë, pasi lufta në Ukrainë ndikon dhe në rajonin tonë.

Ne nuk e kemi parë asnjëherë si përballje me Rusinë, me delegacionin rus apo me kolegët rusë. E kemi parë parësore për të mbajtur qëndrime të qarta, siç e kemi deklaruar, që do të sjellim një zë të besueshëm, me pozicione të qarta. Nëse ne nuk do të ishim të qartë, për më tepër për një çështje që është e kontinentit tonë, e cila prek në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë arkitekturën e sigurisë europiane, që prek jo vetëm ligjet ndërkombëtare, që ka shkelur kartën e Kombeve të Bashkuara, që ka shkelur çdo gërmë të asaj për të cilën ne dhe shtetet e tjera jemi të interesuar. Është pastaj dhe dimensioni i ndikimit që kjo ngjarje ka në rajonin tonë. Ne kemi qenë absolutisht në të drejtën tonë dhe në detyrimin tonë për të qenë të qartë, për të qenë të kumbueshëm për diçka të cilën ne besojmë”, shprehet Hoxha.

Muajin e ardhshëm, Shqipëria do të marrë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në histori.

Top Channel