Shërbimi në Këshillin e Sigurimit ka ndikuar pozitivisht në rritjen e profilit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, shprehet ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në një intervistë për emisionin “Top Story”.

Teksa ndodhet në një vizitë zyrtare në New York, kur Shqipëria përgatitet për të marrë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Xhaçka thotë se “tani kemi mundësinë të dëgjohemi dhe të ndikojmë ashtu siç nuk e kemi bërë në këto 65 vite të anëtarësisë tonë në OKB”.

“Shqipëria u votua me një shumicë shumë domethënëse me 175 vota këtu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe doli si një kandidaturë e pakontestuar e grupit të Evropës Lindore që është një grup goxha i madh. Padiskutim por në këtë grup bëjnë pjesë edhe vende si Rusia, vende si Bjellorusia, si Azerbajxhani apo Armenia. Po themi që mund të kenë problematika të ndryshme dhe interesa të ndryshme dhe influenca të ndryshme. Duke qenë se kemi ardhur si një kandidaturë e pakontestuar do të thotë që, gëzojmë respekt edhe vlerësim për rolin që ne”.

Mundësia për të qenë sot në Këshillin e Sigurimit na jep më shumë zë, na jep më shumë rëndësi, na jep më shumë peshë, thekson ministrja e Jashtme.

Na krijon mundësinë të rrisim profilin tonë, na ndihmon të zgjerojmë marrëdhëniet edhe lidhjet që nuk i kemi pasur për arsye të ndryshme, qoftë gjeografike, qoftë kufizimeve të shërbimit tonë diplomatik në vende dhe në organizata, bashkëpunimi me të cikat thellohet gjatë Këshillit të Sigurimit dhe do të vazhdojë më tutje, do ta ndihmojë përmbushjen e objektivave afatgjata të politikës së jashtme të Shqipërisë. Kështu që në këtë kuptim vërtet na jep peshë dhe vërtet na ndihmon që të jemi ashtu siç kemi qenë konstruktiv, por gjithnjë edhe më tepër me një peshë të posaçme në politikën e jashtme”, shprehet Xhaçka në intervistën e saj me gazetarin Sokol Balla.

Top Channel