“Presim 6 milionë turistë”, operatorët turistikë: Ka një rritje me 20 përqind të prenotimeve

14/05/2022 14:57

Vendi ynë vizitohet pothuajse gjatë gjithë vitit nga tursitët, por sezoni turistik i organizuar nis zyrtarisht në fund të majit.

“Çarterat e parë vijnë më 26 maj, dhe të fundit vijnë nga fillimi i tetorit. Shifrat janë më mirë se vitin e kaluar, diku tek 20% më shumë turistë këtë sezon.”

Nëse vitin e kaluar kishim 5 milionë e 600 mijë turistë, këtë vit mund të kemi mbi 6 milionë turistë, duke iu rikthyer shifrave të para pandemisë, pra të vitit 2019, që ishte viti më i mirë në turizëm.

Do të kishim shifra akoma më të mira nëse nuk do kishte ndikim lufta në Ukrainë, pasi vetëm nga këto vende, pra nga Ukraina dhe Rusia e Bjellorusia, ne kishim parashikuar rreth 200 mijë turistë, që ishin turistë të organizuar me anë të kontratave dhe që nuk do të vijnë dot për shkak të luftimeve.

Ndikim në përmirësimin e situatës tursitikë ka edhe heqja e masave të pandemisë duke nisur nga 1 Maji. Nuk kërkohet më testi PCR, nuk kërkohet pasaporta e vaksinimit, kështu që besojmë se po kthehemi në një kohë normale.

Përsa i përket turzmit të brendshëm është ai lloj turizmi i lidhur kryesisht me Rivierën. Çmimet e hoteleve këtë vit janë rritur shumë për shkak të krizës botërore energjitike, rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, dhe karburanteve. Ka raste që çmimet e hoteleve janë 50% më shtrenjtë krahasuar me vjet.

Kjo ka bërë që të ulet numri i ditëve të pushimeve. Nëse vitin e shkuar ti merrje një hotel në Himarë për 7 ditë, këtë herë më të njëjtën sasi parash do të rrish 4 ditë. Ne besojmë se do të ketë një reduktim të ndjeshëm të këtij lloj turizmi, pasi qyetarët shqiptarë nuk kanë mundësi të përballojnë çmimet e rritura e ndoshta do të kërkojnë alternative të tjera të lira për të pushuar, me shumë gjasa jashtë vendit.

Top Channel