Pogradeci po bëhet gati për sezonin turistik veror por rezervimet janë ende në nivelet minimale.

Ndryshe nga sa ka ndodhur vitet e tjera kur kërkesat kanë qenë të larta, qytetin liqenor deri tani e kanë zgjedhur një pjesë e frekuentuesve të rregullt që vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Efektet e luftës në Ukrainë, rritja e çmimit të karburanteve, apo mallrave të konsumit kanë shtuar kostot e përditshmërisë duke ulur mundësinë për të pushuar.

Në Pogradec edhe rezervimet nga të huajt janë në kuotat minimale ndërsa operatorët turistikë thonë se për të ruajtur të njëjtat shifra turizmi me vitet e kaluar kanë preferuar të mos rrisin çmimet dhe kostot shtesë ti përballojnë vetë.

Qyteti dhe fshatrat që shtrihen buzë liqenit të Ohrit prej vitesh janë përqëndruar tek turizmi. Për tu akomoduar për një natë në Pogradec duhen mesatarisht 1500 -2000 lekë për person, e po kaq kushton edhe konsumi i një vakti me gatime tradicionale por pavarësisht cmimeve të lira që ofrohen, pushuesve u shtohen edhe kostot e udhëtimit apo edhe shpenzime të tjera për t’u argëtuar gjatë ditës.

Top Channel