Sipas burimeve diplomatike ,ministri Dendias do të nisë një tour takimesh ne vendet e Ballkanit perëndimor, ku në fokus të kryediplomatit grek do të jetë integrimi evropian i këtij rajoni.
Mësohet se në vendin tonë zoti Dendias do të takohet me homologen e tij Olta Xhaçka si dhe me kryeministrin Rama.
Burimet sqaruan se Athina është mjaft e interesuar për avancimin e axhendës evropiane të rajonit të Ballkanit perëndimor.
Për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe,interesi i Athinës konsiston në përshpejtimin e procedurave të dërgimit në gjykatën e Hagës së ndarjes së kufirit detar mes dy vendeve,por edhe për pjesën tjetër të çështjeve dypalëshe,për të cilat bisedimet kanë mirëkuptim,por ende dakordësi mes dy palëve.
Duket se të dy palët nuk janë shumë të interesuara për të rihapur në këtë moment shumë delikat për shkak të luftës në ukrainë negociatat për çështjet e nxehta me dy vendeve.
Kjo, pasi në Greqi brenda vitit do të ketë zgjedhje parlamentare,ku siç dihet situata politike greke është tepër e ndërlikuar dhe e ndjeshme për çështje të konsideruara tabu me fqinjët, siç është ligji i luftës apo çështjet e pronave të shtetasve në të dy anët e kufirit me Shqipërinë, çka ul ndjeshëm pritshmëritë për avancim të dukshëm të axhendës dypalëshe.
Ndërkohë edhe pala shqiptare nuk është shumë e interesuar të rinisë një fazë bisedimesh të rëndësishme me fqinjin jugor pasi Ilir Meta ndodhet ende në godinën presidenciale, çka do të bënte nul çdo tentativë bisedimesh për këto çështje për shkak të refuzimit të presidentit të republikës të japë autorizimin për çdo negociatë të këtij niveli.
Ajo çka pritet,është mbështetja greke në rrugën integruese të Shqipërisë, si dhe dakordësia për nisjen e disa projekteve të përbashkëta në fushën energjitike apo projekte infrastukturore.
Nuk përjashtohet edhe ndonjë surprizë greke për çështjen e Kosovës,ku siç dihet Athina është gati të nisë procesin e njohjes së Kosoves, një vendim tashmë i marrë prej Athinës zyrtarë, por që sipas burimeve tepër të besueshme në këtë ministri, pritet momenti i përshtatshëm, i cili, thonë burimet, nuk do të jetë larg.
Top Channel