Bashkëpunimi me Zvicrën/ Program për ekonominë, shëndetësinë dhe klimën

13/05/2022 15:20

Për katër vitet e ardhshme Shqipëria dhe Zvicra kanë një program bashkëpunimi që përfshin ndihmën në disa fusha.

Një fazë e re e programit të bashkëpunimit midis Zvicrës dhe Shqipërisë u lançua sot, që ka për synim kontributin për demokraci, zhvillim ekonomik, shëndetësi dhe ndryshimet klimatike. Ky bashkëpunim do të zgjasë për 4 vitet e ardhshme.

 “Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Zvicrës vijon prej 20 vitesh. Kjo do të thotë që ka një përkushtim afatgjatë mes dy vendeve për të punuar së bashku në parternitet, për të përmirësuar jetën e shqiptarëve ne sektore të ndryshëm. Në 4 vitet e ardhshme ne do punojmë në infrastrukturë dhe energji dhe në aspektet e lidhura me klimën, ne vazhdojmë të punojmë në zhvillimin ekonomik, rinia është e rëndësishme për ne pra çdo gjë që ne mund të bëjmë për të përmirësuar mundësit e të rinjve ne Shqipëri, ne e mbështesim”, tha Patricia Danzi, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Duke mbuluar periudhën nga 2022-2025 programi i bashkëpunimit do të fokusohet në reforma dhe rezultate në fushat e demokracisë.

 “Programi i ri i bashkëpunimit midis Zvicrës dhe Shqipërisë është një tregues tjetër e partneritetit të ngushtë midis dy vendeve tona. Shumë është arritur në katër vitet e shkuara. Jam e sigurt që shumë do të arrihet gjithashtu edhe në katër vitet e ardhshme. Programi i ri bazohet dhe vijon me mbështetje në fushat kyçe të demokracisë, ekonomisë, shërbimeve infrastrukturore dhe shëndetësisë”,tha Delina Ibrahimaj,  Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Mbështetja e Zvicrës për Shqipërinë  ka një buxhet prej 105 milionë franga zvicerane. Zvicra është një nga partnerët dhe donatorët dypalësh më të rëndësishëm për Shqipërinë veçanërisht në fushat e qeverisjes demokratike, mbështetjes makroekonomike dhe Shëndetësisë.

Top Channel