Ajas Sulejmeni, shoferi i mjetit tip “G Class” që përplasi çiftin dhe foshnjën 3 muajshe në karrocë në rrugën e Kavajës ditën e djeshme, nuk e kishte lejen e drejtimit të pezulluar.
Këtë e ka bërë me dije, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Rrugore, Blendi Gonxhe në “Ëake Up”. Gonxhe tha se ai e kishte marrë patentën para tetë vitesh në Gjirokastër dhe kishte gjithsej tetë shkelje, por jo të rënda.
“Ka pasur tetë shkelje, por nuk ka pasur pezullim patente. Ka marrë patentën para tetë viteve në Gjirokastër, nuk ka masa në progres me njëra tjetrën. Ka vetëm një shkelje në 2021 dhe një në 2022. I është bllokuar patenta dje 24 muaj nga aksidenti i djeshëm. Është gjetur nën ndikimin e drogës, këtu shtohen masat. Ai nuk hyn në shkollë pa u vlerësuar se është i pastër”, tregoi Gonxhe.
Gonxhe tha se autoritetet përkatëse janë mbledhur dhe po rishohin sistemin e vlerësimit të shoferëve “problematikë”.
“Jemi mbledhur, do ketë përsosje të sistemit të vlerësimit të këtyre. Do të merremi gjatë, do kontrollojmë njerëzit më përsëritës. Do kemi një test i veçantë për individët përsëritës. Do jetë i ruajtur më gjatë se testet e tjera. Urojmë që këta mos të kthehen në rrugë, të mos i marrin testet që flasim”, tha Gonxhe.
Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e djeshme kur çifti me foshnjën po kalonin vijat e bardha.
Top Channel