Bitcoin-i ka humbur gjysmën e vlerës këtë fundjavë, duke mbërritur nën 34,000 dollarë në sherbimin më të madh amerikan të kriptovalutave për nga vëllimi i tregtisë, Coinbase.

Sistemi kryesor dixhital i pagesave në botë për nga vlera e tregut ka rënë tani me 50%, krahasuar me pikën kulmore që shënoi nëntorin e vitit të kaluar.

Rënia e vlerës së aseteve dixhitale vjen në kohën kur edhe tregjet e aksioneve në botë janë në rënie. Bitcoin përbën rreth një të tretën e tregut të kriptovalutave, me një vlerë totale prej 636 miliardë dollarësh.

Ethereum, kriptovaluta e dytë më e madhe në botë, gjithashtu ka rënë në vlerë, me më shumë se 10% në javën e fundit. Në botë ekzistojnë mbi 5,000 kriptovaluta të ndryshme, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum. Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.

Tregtia me kriptovaluta është dominuar me vite nga investitorët individualë, por, kohëve të fundit, tregu ka parë edhe një fluks investitorësh profesionistë, të tillë si menaxherë parash dhe fonde mbrojtëse.

Top Channel