Nën moton ”Stop vrasjes në komisariate”, në qytetin e Durrësit po zhvillohet protesta e heshtur pranë komisariatit të policisë ku të rinj me pankarta në duar janë vendosur para godinës policore.
Ata kanë ndezur qirinj për humbjen e jetës brenda dhomave të sigurisë në komisariatet e policisë. Pas vdekjes së dyshimtë të Ilvi Metës në ambientet e brendshme të komisariatit të Kavajës më 4 maj, komisioni i rithemelimit kërkoi që demokratë dhe qytetarë në të gjithë vendin të protestojnë paqësisht para komisariateve të policisë në mbrojtje të jetës.
Pasditen e vonë të 4 majit në dhomën e sigurisë së komisariatit të Kavajës u gjet i varur 31-vjeçari Ilvi Meta, i arrestuar për vjedhje. Vdekja e tij është vënë në dyshim nga familjarët që nuk pranojnë versionin e vetëvarjes, ndërsa kërkojnë të shohin pamjet e kamerave të sigurisë për të kuptuar ç’ka ndodhur brenda komisariatit ku Meta kaloi orët e fundit të jetës. Ndërkohë nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja erdhi si pasojë e neglizhencës në kryerjen e detyrës nga 3 punonjësit e policisë ndaj të cilëve deri tani rëndon akuza e ”shpërdorimit të detyrës”.
Të shtunën gjykata vendosi masën e sigurisë ”arrest në burg” për të dy efektivët që kanë deklaruar se e kanë bërë kontrollin fizik të Metës gjatë shoqërimit dhe arrestimit të tij. Edhe oficeri i policisë ka deklaruar se ka bërë shënim në librin e dorëzimit për ta pasur nën mbikëqyrje të arrestuarin, por kjo nuk e ka parandaluar pasojën fatale, vdekjen e tij.
Top Channel