Kriza e çmimeve do të godasë xhepat e qytetarëve të paktën deri në fillim të vitit 2024.

Janë këto vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilës pasojat e luftës në Ukrainë që ka sjellë ndërprerje në prodhim e shpërndarje të mallrave do të jenë afatgjata dhe do të mbajnë gjatë inflacionin mbi objektiv, rritja e të cilit sipas saj po shfaq efektet e para në ngadalësimin e ekonomisë.

“Inflacioni në vend do të mbetet në nivele relativisht të larta gjatë periudhës në vijim. Në pjesën më të madhe, rritja e inflacionit u shkaktua nga goditjet e ofertës, të ardhura nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës.Çmimet e larta në tregjet botërore, kërkesa e rritur agregate, si dhe dinamikat e tregjeve të punës, pritet ta mbajnë inflacionin pranë niveleve aktuale gjatë vitit 2022. Më tej, ai pritet të vijë në rënie graduale gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024″, tha Guvernatorit Sejko.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se ndërsa rreziqet për ekonominë janë shtuar, banka po mban nën monitorim situatën dhe është e gatshme të ndërhyjë në çdo rast nevoje për stabilitetin e çmimeve.

Vetëm pak kohë më parë, me qëllim zbutjen e goditjes nga shtrenjtimi i fortë i çmimeve banka rishikoi politikën monetare duke dyfishuar normën bazë të interesit, që sipas saj po fillon të japë ndikim në zbutjen e efekteve negative të krizës.

Top Channel