Vetëm 20 ditë para afatit dhe vendimit se si Greqia duhet të paguajë më pas gazin natyror që merr nga Rusia, kryeministri Mitsotakis në një mbledhje të zgjeruar të kabinetit ka deklaruar se jo vetëm që vendi ka rezerva në rast se Moska mbyll rubinetin edhe për Athinën, por ndihmon edhe vendet e tjera që varen tërësisht nga gazi rus si Bullgaria fqinje.
“Rezerva energjetike e vendit është plotësisht e garantuar dhe së dyti, furnizimet e vendit me gaz do të bëhen në mënyrë të tillë që të mos shkelen sanksionet e vendosura nga BE ndaj Rusisë.”
Sipas ministrit të Energjisë Greqia do të paguajë Gazprom-in në një mënyrë që nuk do të shkelë sanksionet dhe do të garantojë sigurinë energjetike të vendit. Deri tani mbeten të hapura të gjitha mundësitë për pagesën e gazit rus dhe pritet formulimi i një qëndrimi të vetëm europian për këtë çështje në takimin e ministrave të Energjisë këtë të hënë, në një moment kur mediat e huaja kanë bërë me dije se disa vende dhe kompani europiane përdorin metodën e tërthortë të hapjes së një llogarie në euro dhe rubla në bankën ruse Gazprombank.
Përpjekjet e Athinës ditët e fundit konsitojnë të zhndërrojnë vendin shpejt dhe në mënyrë metodike, në një qendër energjetike të rajonit dhe në të njëjtën kohë në një portë strategjike të burimeve energjetike në Evropën Juglindore.
Është çështje ditësh përfundimi i Interkoneksionit të Gazit Greqi- Bullgari në kufirin greko-bullgar, që synon të plotësojë rrjetin ekzistues evropian duke sjellë 3 miliardë metra kub gaz në vit, me një opsion për t’u zgjeruar në 5 miliardë.
“Inter Connector Greece Bulgaria është një tubacion çeliku me presion të lartë për të sjellë gazin natyror nga sistemi i tubacionit të gazit natyror të Greqisë, në sistemin e tubacionit të gazit natyror të Bullgarisë.”
Plani grek përfshin gjithashtu rritjen e importeve të gazit natyror të lëngshëm LNG në Revythousa pranë Athinës, ku parashikohet edhe zgjerimi me një rezervuar lundrues për të rritur kapacitetin në 375 mijë metër kub si dhe përfundimin në më pak se 20 muaj të terminalit të ri të depozitimit dhe përpunimit të gazit natyror të lëngshëm, në portin verilindor të Aleksandrupolit,një projekt shumë i rëndësishëm infrastrukturor i mbështetur nga SHBA, me interes të madh për vendet e ballkanit dhe ato europiane.
Top Channel