Lufta “prek” Shqipërinë/ Banka e Shqipërisë: Ndikim te ndërtimi, çmimet dhe turizmi

29/04/2022 15:15

Pasojat e luftës në Ukrainë do të ndihen për më shumë se një vit në ekonominë shqiptare. Janë këto vlerësimet e Bankës së Shqipërisë të prezantuara në Raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar, ku analiza fokusohet edhe te ndikimi i luftës.

Sipas bankës, efektet do të prekin të gjithë zinxhirin ekonomik për shkak të çmimeve të larta që do të rrisin edhe më tej kostot e prodhimit, duke sjellë rënie të ndjeshme të konsumit e ngadalësim të gjithë ekonomisë. Energjia, drithërat, ndërtimi dhe turizmi janë sektorët që do të goditen më shumë sipas analizës së bankës qendrore.

Por, rreziku edhe pse në mënyrë të tërthortë, do të ndihet edhe në sektorin bankar. Kjo pasi kriza e çmimeve po prek të ardhurat e qytetarëve e ecurinë e bizneseve, çka sipas bankave mund të sjellë pamundësinë e tyre për të shlyer në kohë kreditë e marra.

Veç rënies së konsumit, efektet negative do të ndihen edhe te investimet që sipas bankës pritet të ulen këtë vit për shkak të situatës së krijuar, ndërsa parashikohet që edhe deficiti buxhetor të zgjerohet më tej duke vënë në vështirësi buxhetin e shtetit.

Edhe pse Shqipëria ka një volum të ulët tregtar me Rusinë dhe Ukrainën, çka nënkupton se nuk preket drejtpërdrejt në drejtim të tregtisë së jashtme, efektet janë të pashmangshme pasi vendi importon mallra nga vendet e tjera duke u varur kështu nga luhatjet e forta në tregjet ndërkombëtare që reflektohen më pas në rritje të kostove të mallrave në tregun vendas.

Në kushtet kur të gjitha vlerësimet e autoriteteve vendase e të huaja flasin për një frenim të ekonomisë si pasojë e zhvillimeve ndërkombëtare dhe plotësimit të nevojave të energjisë që mbetet sfida kryesore për vendin, Banka Shqipërisë vlerëson se përballimi i tyre kërkon bashkëpunim me saj dhe qeverisë në drejtim të mirëadministrimit fiskal dhe ndërmarrjen e reformave të thella për kapërcimin e krizës.

Top Channel