Ulet pritshmëria për Shqipërinë/ Instituti i Vjenës korrigjon parashikimin për rritjen ekonomike

28/04/2022 19:51

Instituti i Vjenës ka ulur pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 3.5% për këtë vit. Ky vlerësim prej 0.7% më i ulët se parashikimi fillestar lidhet me ndikimin e luftës në Ukrainë, efektet e së cilës po përçohen në ekonominë shqiptare duke frenuar ritmet e rritjes së saj.

Megjithëse Shqipëria ka një volum të ulët tregtar me Rusinë dhe Ukrainën, pasojat do të jenë të konsiderueshme thuhet në raport. Kjo, për shkak të marrëdhënieve tregtare që vendi ka me shtetet e Bashkimit Europian.

Kjo sipas institucionit do të bëjë që çmimet të qëndrojnë të larta jo vetëm këtë vit, por edhe në vitin e ardhshëm, duke mbajtur inflacionin ndjeshëm mbi objektin e Bankës së Shqipërisë. Ndërsa në drejtim të punësimit, sipas Institutit të Vjenës pritet që shkalla e papunësisë të zbresë në 11.2% në fund të vitit, nga 11.4% që ishte në vitin 2021.

“Sipas skenarit bazë, inflacioni këtë vit do të jetë 6%. Në periudhën afatmesme, inflacioni do të bjerë në 3%. Politika monetare ka ndryshuar me rritje të normave të interesit dhe masat stimuluese të qeverisë synojnë në një farë mënyre të mbështesin konsumin.” 

Sipas raportit, ndër vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut do të kenë rritjen më të ulët ekonomike përkatësisht me 1.8 dhe 2.5%.

Megjithatë, edhe pse me rënie, projeksionet e Institutit të Vjenës janë ndjeshëm më optimiste se institucionet e tjera si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar pavarësisht krizës së çmimeve dhe shkojnë në një linjë me objektivin e qeverisë shqiptare. Edhe ekzekutivi ka të njëjtat pritshmëri për ecurinë e ekonomisë për një rritje prej 3.5%.

 

Top Channel