Putin sulmon Kosovën në takimin me Guterres, Rusia refuzon bisedimet e paqes në Mariupol!

27/04/2022 11:43

Vladimir Putin e përmendi sërish Kosovën edhe në takimin që pati në Moskë me sekretarin e pergjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Shefi i Kremlinit përdori edhe një herë pavarësinë e Kosovës duke tentuar të arsyetojë pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014 dhe ndërhyrjen në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore.

Putin: Unë e mbaj mend mirë dokumentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth Kosovës. E kujtoj mirë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, që thekson  kur zbatohet e drejta për vetëvendosje për territorin e cdo vendi, ai nuk duhet të kërkojë leje për të shpallur sovranitetin nga autoritetet e atij vendi. Kjo është e shkruar në lidhje me Kosovën dhe ky vendim u përkrah nga të gjithë. Nëse është kështu, atëherë njerëzit në Donbas, në Republikën e Luhanskut dhe Doneskut kanë të njëjtat të drejta duke mos zbatuar autoritetin qendror në Kiev për ta deklaruar sovranitetin, sepse precedenti ekziston.

Duke kërkuar të gjejë një arsyetim përballë Putinit, Guterres kujtoi se OKB-ja nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Putini insistoi duke thënë se pavarësisht kësaj, ajo është njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Biseda më tej u fokusua tek korridoret humanitare. OKB-ja njoftoi se Sekretari i Përgjithshëm dhe presidenti rus ranë dakord në parim që Kombet e Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq duhet të përfshihen në evakuimin e civilëve nga fabrikë çeliku e rrethuar Aozvstal në qytetin juglindor të Ukrainës, Mariupol. Gjatë takimit të tyre kokë më kokë u  “diskutuan propozimet për ndihmë humanitare dhe evakuimin e civilëve nga zonat e konfliktit, përkatësisht në lidhje me situatën në qytetin port”.

Fabrika e madhe e çelikut Azovstal është shkatërruar pothuajse plotësisht nga sulmet ruse, por ajo është ende pika e fundit e rezistencës së organizuar ukrainase në Mariupol. Rreth 2,000 trupa dhe 1,000 civilë thuhet se janë të strehuar në bunkerët nën strukturën e shkatërruar. Megjithatë, kreu i diplomacisë ruse Sergei Lavrov, në takimin që ai pati me Guterres, e ka hedhur poshtë propozimin e Kievit për të mbajtur bisedime paqeje në Mariupol dhe tha se është shumë shpejt për të diskutuar se kush do të ndërmjetësojë negociatat, edhe pse sërish përsëriti se Rusia është e angazhuar për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA