Liderët europianë morën frymë të lehtësuar pas fitores së Emmanul Macron, që mposhti në balotazhin e së djelës kandidaten e ekstremit të djathë, Marine Le Pen, e cila e kishte të mbushur platformën e saj me politika anti-BE.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte i pari që e uroi shefin e Elizesë, ndërsa i mëshoi idesë së sfidës së tyre të përbashkët tani për t`iu përgjigjur agresionit rus në Ukrainë. Presidenti amerikan Joe Biden po ashtu tha se e pret me padurim forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, përfshirë këtu mbështetjen për Ukrainën.
Teksa Macron kërkoi të shfaqej si lojtar kyç diplomatik në mesin e luftës në këtë vend, Le Penit iu desh të përballej me akuzat për lidhje të ngushta me Kremlinin, që e dëhtmuan fushatën e saj. Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky e përshëndeti Macron duke e quajtur një “mik të vërtetë” , e urime mbërritën gjithashtu dhe nga kryeministri britanik, Boris Johnson.
Rizgjedhja e Emmanuel Macron duhet kuptuar edhe si një përgjigje e demokracisë ndaj sulmit të Rusisë kundër Europës dhe porosi për zhvillimin e mëtejshëm të projektit europian, mendon analisti Frank Hofmann. Në qershor rizgjidhet parlamenti francez.
Dhe rezultatet në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale para dy javësh – një e treta e votave për të djathtën ekstreme dhe rreth 20% të votave për populistin e majtë, Jean-Luc Mélenchon e bëjnë të qartë se francezët duan që diçka të ndryshojë me rrënjë, thotë ai. Ndjenja e zhgënjimit është e qartë, por tani manifestohet në kritikën ndaj demokracisë si e tërë, e ky është më shumë se një sinjal paralajmërimi, vazhdon Hoffman.
Rezultati zgjedhor në Francë është për këtë arsye një shans i dytë për Europën, mendon eksperti. Macron prej më shumë se pesë vjetësh ka kërkuar që Bashkimi Europian të stabilizohet si bllok i fuqishëm në botë mes dy fuqive SHBA dhe Kinës, me në qendër një element të fuqishëm gjermano-francez, e këtu, koalicioni aktual qeverisës në Berlin mund të reagojë me propozime konkrete në shumë drejtime të politikës që çojnë në një hap të madh drejt kthimit të Europës në një bashkësi të shteteve të bashkuara të saj.
Top Channel