“Apeli nuk do të sjellë ndryshime”/ Vendimi për liderët e UÇK-së, avokatja përlotet në ‘Top Story’: Edhe nëse ‘Specialja’ zhbëhet, nuk ka fuqi mbi dënimin e dhënë

16/09/2026 22:26

Në një lidhje live për ‘Top Story’, avokatja dhe studiuesja e Oxford-it, Rudina Jasini, ka komentuar vendimin e Hagës për dënimin e ish-liderët e UÇK-së.  

Jasini, e përlotur, u shpreh se ndodhemi në një realitet shumë të dhimbshëm, duke shtuar se ligji mbi të cilin u ngrit gjykata e Hagës është problematik.

E pyetur nëse Apeli mund të sjellë ndryshime në dënimin e liderëve, Jasini u shpreh se Apeli nuk mund të sjellë ndryshime radikale për ta, ndërsa shtoi se edhe nëse kjo gjykatë, Specialja, do të zhbëhej, kjo nuk do të ndryshonte asgjë për 81 vitet e dënimeve.

“Mund të them që është vështirë të gjesh fjalët për një moment të errët në historinë e kombit shqiptar. Po të analizojmë si është ndërtuar ky institucion dhe si janë qasur gjyqtarët, më vjen keq të them që nuk ishte e paparashikueshme që sot të kishim një dënim për fajësi. Problemi me këtë gjykatë fillon që në gjenezë me një ligj. Ky ligj krijon një hapësirë procedurale të tillë gjyqtarëve, kjo gjykatë është e paprecedentë. Është gjykatë e Kosovës  dhe që administrohet nga ndërkombëtarët.

Në këtë proces, që ka 5 vite e gjysmë si proces, prokuroria nuk paraqiti çështjen as të bazuar në krime. Më vjen keq të them që ajo që pritej që me ndryshimin e Kushtetutës dhe hartimin e këtij ligji, nuk e di sa është parë ky ligj, ai është shumë problematik dhe ka sjellë këto dënime dhe këto pasoja. Unë kam dyshimet e mia, sepse gjykata e apelit në tre çështje paraprake që janë gjykuar që kanë të bëjnë me luftën e UÇK-së, kjo gjykatë nuk ka lëvizur shumë nga vendimi paraprak. E shoh të pamundur që të kemi një ndryshim radikal. Në fakt, edhe sikur sot të votohej për të zhbërë këtë gjykatë, kjo nuk do të ketë asnjë fuqi për atë që është vendosur tashmë. Ndodhemi në një realitet tepër të dhimbshëm. Kemi qenë shumë pranë këtyre individëve, ne i kemi parë edhe në aspektin njerëzor kur të privohet liria, mos të jepet as lirim me kusht.

Vështirë të mendosh që të marrësh një vendim për një dënim për 25 vite dhe të mbash atë qëndrim në sallë. Këta individë kanë karakteristikë të liderit sepse epoka i bëri lidera. Këta nuk zgjodhën luftën, lufta i zgjodhi ata. Ishte e padiskutueshme që në emër të popullit të Kosovës jepeshin këto vendime, ku ti nuk ke asnjë shtetas shqiptar që t’i jepej mundësia, veç përkthyesit, dhe të shohësh që jepet një vendim për dënimin në emër të popullit të Kosovës, është formalisht sepse kurrsesi nuk është ne emër të popullit të Kosovës.

Tragjedi kombëtare për popullin e Kosovës dhe Shqipërisë dhe do doja që në të ardhmen, shqiptarët duhet të jenë gjithnjë e më shumë vigjilentë për të ditur të adresojnë këto rryma”, u shpreh avokatja.

Top Channel