Profesor Shpëtim Dajçi, kërkon para për orët e mësimit që do zhvillojë në Shkollën Shtetërore të Baletit, përkatësisht në vitin e katërt.
Tarifa e tij prej 1 mijë lekësh të vjetra në ditë do mblidhet nga një nxënës i klasës për dy muaj me radhë. Këtë gjë që është në kundërshtim me ligjin, profesori e kërkon në orën e mësimit.
Emisioni Fiks Fare solli një historik të shkurtër të Shkollës së Baletit, e cila është e vetmja shkollë shtetërore koreografike në Shqipëri.
Kurset e para të së cilës nisën që në vitin 1957 dhe zhvilloheshin nga profesorë të shkolluar në Rusi.
Por jo vetëm kaq historiku i Shkollës së Baletit është i pasuruar me emra balerinësh të cilët kanë bërë emër në skenat botërore , dhe kanë dalë pikërisht nga dyert e kësaj shkolle.
ILIR Kerni, Ilir Shaqiri, Ambeta Toromani, Kleidi Kadiu, Oriada Islami, Marlon Dino, Aris Golemi janë vetëm disa nga emrat e balerinëve shqiptar në skenat botërore.
Por sot në këtë shkollë ka dhe nga ata profesorë që kërkojnë para për zhvillimin e orëve mësimore.
Fiksi solli rastin e profesor Shpëtim Dajçit i cili në orën e baletit u kërkon para nxënësve të vitit të katërt për orën e mësimit. Sipas tij nuk e paguan shteti për këtë gjë dhe se 1 mijë lekë të vjetra që ai kërkon në ditë nuk janë asgjë krahasuar me çmimet e mësimit në privat.
Edhe pse nga dy nxënës kundërshtohet pagesa, profesori thotë unë lodhem në këtë punë, ndaj nxënësit duhet të paguajnë por pa e konsultuar këtë gjë me mësuesit e tjerë.
Të ndodhur përpara këtyre fakteve emisioni Fiks Fare mori një përgjigje dhe në Zyrën Vendore Arsimore Tiranë e cila thotë se të gjithë mësuesit e kësaj shkolle shkojnë aty nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, në rastin konkret zgjidhja është gjetur me mësues të shkollës të cilët do paguhen për orët shtesë.
Sipas këtij institucioni , nxënësit nuk duhet të paguajnë në asnjë lloj rrethane për zhvillimin e mësimit në ambientet e shkollave publike.
Profesori kërkon 1 mijë lekë të vjetra në ditë, 25 mijë lekë në muaj.
Profesori-Tani, dëgjoni si është puna.
Këtë dy orëshin me ju që ma paska vënë drejtoresha nuk ma paguan njeri.
Tani , unë i thashë këtij …(nxënësi), kjo mbetet mes nesh ë? Ju bie nga 1 mijë lekë dita të paguani mësuesin, mua. Që ne muaj 25 ditë i bie 25 mijë lekë. Se nuk është 30 ditë në muaj, se janë pushimet e shtunë e diel .
Tani kush ka mundësi ta bëjë, kush nuk ka mundësi mos ta bëjë (mësimin) çfarë t’ju them unë juve.
Dhe po vij po ju mbaj deri sa të mbaroni shkollën se nuk vjen më zysh Teuta. Se ka dalë me probleme nga këmbët.
Dhe idea është që 2 ditë ju marr unë, 2 ditë një mësues, 2 ditë një mësues. Nuk është kjo, nuk qëndron si logjikë kjo.
Se çfarë kërkon një mësues nuk kërkon një tjetër.
Sigurisht çfarë vërejtjesh ju kam bërë unë, ju qëndrojnë ato vërejtjet me mësuesin tjetër. As i bie në mend që t’jua thotë mësuesi tjetër ato vërejtje.
Pra me mua do dilni deri në provim të shtetit, do ta bëni me mua provimin.
Dhe ju bie juve, 2 muaj, të paguani 2 muaj.
Ndërkohë që te privati keni paguar shumë e shumë më tepër.
Unë prandaj po ju vë këtë çmim të lirë, për arsye se ju jeni nxënës shkolle dhe mos ta humbisni, ose po ta vazhdojmë kështu, 2 orë vij unë, 2 orë një mësues tjetër, 2 orë një tjetër. Edhe derisa të dilni, kujt ti bij pastaj bixha në fund të vitit, provimi.
Kjo nuk është zyrtare . Po ju lajmëroj, nuk është zyrtare kjo. Por edhe unë lodhem për këtë që bëj.
6 orë që rri, kjo ishte.
Pyetini edhe prindërit , se nuk është në dorën tuaj.
Pyetini edhe prindërit edhe hajde të hënën. Por puna vlerësohet, dhe besoj që e dini.
Nxënësi: Vlerësohet puna, por ne jemi në shkollë në shtet.
Profesori: Edhe ndërgjegjen e punës sime besoj e dini.
Nxënësi 2 : Ne jemi në shkollë shtetërore tani, të paguajmë edhe ne prap nxënësit.
Profesori: E di mo e di, unë e di që është shtet. Nuk ju takon thashë, kjo është në kuadër të kësaj që po jua them unë. Po jua them kështu.
Nuk ka mësues, nuk vjen aasnjë mësues te portali mësues që duhet të vijnë nnga drejtoria arsimore nuk vjen, nuk ka interes për këtë pagesën që jep shkolla e baletit.
Nxënësi: Pagesën nuk e jep shkolla, e jep shteti.
Nxënësi 2: Po ç’lidhje ka mor burrë po.
Profesori: PO drejtoria shteti është. E di sa është ora e mësimit këtu? 5 mijë lekë për një orë, 2 orëshi.
Nxënësi: Po çfarë të themi ne?
Profesori: Që është në orar.
Kush të vjen, nuk vjen asnjë nga opera, i kemi thënë kujt nuk i kemi thënë , hajt merre vitin e 4, jo s’më leverdis ka thënë. Të rri dhe 10 minuta.
Kjo nuk është me ligj ë?
Se mos shkoni ju thoni mësuesve na ka kërkuar profesor Shpëtimi këtë
Nxënësi: PO jo mo.
Profesori : Zëre se s’jua thashë po ashtu.
Nxënësi: PO jo mo profe.
Profesori: Kupton? Po jua bëj unë. Do i heq të gjithë mësuesit do e bëj unë nga e hëna në të premte mësimin. Deri në fund të majit që do bëni provimin. Këtë po ju them që trë mos ndërroni mësues 100 herë.
Do i hiqni një qime kokës suaj, se ju harxhoni për një ditë 1 mijë lekë dita.
Edhe është për 2 muaj kjo punë.
Dhe ju mos e merrni me stres të madh e ?
Mos e merrni me kaq.
Keni punuar ndonjëherë në privat apo jo?
Keni punuar ndonjëherë në privat apo s’keni punu?
I dini tarifat e privatit kur shkoni andej?
Nxënësi: Kena punu para se me u fut në shkollë të baletit.
Profesori: Po mirë mo, nejse, i dini domethënë tarifat?
Nxënësi: Po po.
Profesori: Për mua është shumë e lodhshme kjo që do marr përsipër, 2 muaj.
Ju nuk e kuptoni 6 orë të rrish në shkollë.
Hajt mirupafshim!
Top Channel