Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica, është arrestuar për shpërdorim detyre pasi u publikuan transkriptet e mesazheve të djalit të saj që thoshte se e ëma do të mbronte marrëveshjet e tij të paligjshme për trafik kokaine dhe kontrabande të cigareve.
Vesna Medenica u prangos në aeroportin e Podgoricës pasi në media u zbulua biseda mes të birit Milos Medenica, dhe oficerit të policisë Darko Laloviç, ku shihej qartë sesi ata organizonin blerjen e kokainës dhe kontrabandës së cigareve në portin e Tivarit.
Në transkriptet e bisedave duke përdorur aplikacionin e koduar të mesazheve Sky ECC, Milos Medenica pretendonte se e ëma ishte në dijeni të biznesit të tyre të paligjshëm dhe tha se ata mund të presin mbrojtje prej saj. Ministria e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave deklaroi se arrestimi i Medenicës ishte një sinjal pozitiv për luftën e vendit kundër korrupsionit të nivelit të lartë. “Ne i japim mbështetje të plotë Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe institucioneve të tjera që udhëheqin luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë që të mos ketë më të paprekshëm në Mal të Zi,” thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj ministrie.
Në 6 prill, Vesna Medenica i kishte mohuar akuzat kundër saj e i kishte bërë thirrje autoriteteve që të hetojnë. Pas arrestimit, ajo u shtrua në spital ku po trajtohet për një ç’rregullim metabolik. Agjencia evropiane e zbatimit të ligjit EUROPOL dërgoi transkriptet e mesazheve të koduara në prokurorinë malazeze tetorin e kaluar. Laloviç u arrestua në dhjetor dhe u akuzua për krijimin e një organizate kriminale dhe trafik droge, ndërsa mediet raportuan se ai po bashkëpunonte me bandën e Kavaçit, një grup kontrabandistësh droge nga qyteti i Kotorrit.
Vesna Medenica dha dorëheqjen në dhjetor, disa muaj pasi vendimi për t’i dhënë asaj një mandat të tretë si kryetare e Gjykatës së Lartë u kritikua nga Komisioni Evropian dhe nga OJQ-të në Mal të Zi. Ajo tha se nuk donte të bëhej pengesë në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE dhe akuzoi mediet se minojnë autoritetin e zyrtarëve gjyqësorë dhe mohojnë arritjet e tyre. Përpara se të zgjidhej në krye të Gjykatës së Lartë, Medenica kishte qenë kryeprokurore, ndërsa vitet e fundit ishte akuzuar nga opozita për rezultate të dobëta në reformat gjyqësore dhe për lidhje politike me Presidentin Milo Gjukanoviç dhe Partinë e tij Demokratike të Socialistëve, DPS, e cila sundoi vendin për tre dekada.
Top Channel