300 mln euro më shumë taksa. Rritja e fortë e çmimeve mbushi arkën e qeverisë në tre muajt e fundit

16/04/2022 15:15

30 miliardë lekë apo rreth 300 milionë dollarë më shumë se vitin e kaluar ka mbledhur qeveria në tremujorin e parë të këtij viti.

Nga kjo rritje, rreth 13 miliardë lekë, apo gjysma e kësaj shtese erdhi nga TVSH-ja.  Tatimi mbi vlerën e shtuar në masën 20% paguhet nga qytetarët në çdo litër naftë, produkt ushqimor apo çdo gjë tjetër që konsumon dhe është zëri kryesor që mbush buxhetin shqiptar.

Edhe zërat e tjerë të taksave kanë ardhur me rritje duke filluar nga akzica, tek renta minerare, tatimi mbi fitimin dhe ai mbi të ardhurat personale që mbahet mbi pagat e qytetarëve.

Qeveria merr më shumë para nga akzica sepse e indekson atë me inflacionin nga 1 janari, merr më shumë para nga renta minerare që po shitet me çmime më të larta në tregje ndërkombëtare, ndërsa rënia e papunësisë dhe rritja e xhirova ka sjellë më shumë kontribute shoqërore dhe mbledhje të tatimit.

Ndërkohë sipas të dhënave nga Buxheti shihet se masat që qeveria ka marrë në paketën e Rezistencës Sociale për të mbështetur në mënyrë direkte pensionistët, shtresat në nevojë, transportin publik dhe fermerët me naftë pa taksa kapin vlerën e 6.93 mld lekëve, vetëm 25% e vlerës që është arkëtuar në tre muajt e parë të vitit.

Nga kjo paketë gjithashtu u përjashtuan 231.289 mijë pensionistë që marrin pension më të lartë se gjysma e pagës minimale. Për t’i ndihmuar do mjaftonin vetëm 2.1 miliardë lekë, ose 8% nga këto arkëtime shtesë.

Sa i përket shpenzimeve, në këto kohë krize qeveria po përpiqet të kursejë. Shpenzimet kapitale për spitale, rrugë dhe investime janë ulur në nivele të ndjeshme, ndërsa ato operative janë rritur vetëm 2.5 mld lekë më shumë seç ishte parashikuar. Në këto kushte Buxheti është “shëndoshur” me një suficit prej 22 miliardë lekësh, 8.3 miliardë më shumë seç ishte planifikuar.

Por ky suficit sipas parashikimeve të qeverisë do të thithet nga një gropë e madhe që po krijon kriza energjetike. 28 miliardë lekë janë vendosur si garanci për të mbajtur çmimin e pandryshuar për bizneset e vogla dhe familjet, ndërsa së fundmi Ministria po rimendon ta ndryshojë këtë skemë.

Top Channel