Një makinë tip benz me targë AA 208 ZS është automjeti i përdorur nga autorët në vrasjen e 55 vjecarit Nazmi Bandula mëngjesin e së martës.
Autorët i janë afruar lokalit dhe kanë qëlluar ndaj viktimës i cili po pinte kafen e mëngjesit, në tavolinën në pjesën e jashtme të lokalit. Autoret dyshohet se kanë qëlluar 14 herë me kallashnikov, por në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja të armës.
Policia ka marrë në pyetje 5 dëshmitarë në vendin e ngjarjes të cilët kanë bërë vetëm përshkrimin e makinës pa arritur të identifikojnë autorët. Targa e automjetit që kanë përdorur autorët rezulton të jetë e vjedhur në një makinë tip ‘Toyota Yaris’, në pronësi të një vajze.
Top Channel ka siguruar momentin e vrasjes së Nazmi Bandulës, i cili u ekzekutua kur po pinte kafen e mëngjesit.
Në pamje duket se autori ul xhamin e automjetit tip Benz, i cili është me targa të vjedhura, ndalon përpara lokalit dhe nga sedilja e pasagjerit qëllon për vdekje Bandulën.
Si ndodhi vrasja
Viktima sapo kishte marrë kafen e mëngjesit për ta konsumuar, kur ndaj tij u qëllua me armë zjarri duke e lënë të vdekur.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Partizani” të Shkodrës, mëngjesin e së martës. Viktima ishte ulur në tavolinën e jashtme të lokalit, në lagjen e tij, kur një automjet i është afruar, ka ulur xhamin dhe ndaj tij kanë qëlluar disa herë me armë zjarri.
Plumbat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme 55-vjeçarit ndërsa klientët e tjerë dhe punonjësit e lokalit fatmirësisht kanë shpëtuar pa marrë plagë. Autorët janë larguar menjëherë me shpejtësi teksa policia e Shkodrës ka ngritur postblloqe në rrugët kryesore si dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët.
55-vjeçari Bandula nuk ishte një emër i panjohur për policinë. Bandula ishte një person me precedent të mëparshëm penal për konflikte brenda familjes, ku në 2012 ishte arrestuar pas një konflikti pronësie me vëllanë e tij, të cilit e kishte kërcënuar me armën.
Gjithashtu më 26 dhjetor të 2020, një sasi tritoli i ishte vënë mjetit tip fouristradë X5, të Bandulës që ishte i parkuar pranë shtëpisë së tij, ku nga shpërthimi nuk pati të lënduar.
Top Channel