VIDEO/ Autori ul xhamin dhe qëllon nga sedilja e pasagjerit, momenti i vrasjes së Nazmi Bandulës, u ekzekutua kur po pinte kafen e mëngjesit

13/04/2022 11:22

Top Channel ka siguruar momentin e vrasjes së Nazmi Bandulës, i cili u ekzekutua kur po pinte kafen e mëngjesit.

Në pamje duket se autori ul xhamin e automjetit tip Benz, i cili është me targa të vjedhura, ndalon përpara lokalit dhe nga sedilja e pasagjerit qëllon për vdekje Bandulën.

Si ndodhi vrasja

Viktima sapo kishte marrë kafen e mëngjesit për ta konsumuar, kur ndaj tij u qëllua me armë zjarri duke e lënë të vdekur.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Partizani” të Shkodrës, mëngjesin e së martës. Viktima ishte ulur në tavolinën e jashtme të lokalit, në lagjen e tij, kur një automjet i është afruar, ka ulur xhamin dhe ndaj tij kanë qëlluar disa herë me armë zjarri.

Plumbat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme 55-vjeçarit ndërsa klientët e tjerë dhe punonjësit e lokalit fatmirësisht kanë shpëtuar pa marrë plagë. Autorët janë larguar menjëherë me shpejtësi teksa policia e Shkodrës ka ngritur postblloqe në rrugët kryesore si dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët.

55-vjeçari Bandula nuk ishte një emër i panjohur për policinë. Bandula ishte një person me precedent të mëparshëm penal për konflikte brenda familjes, ku në 2012 ishte arrestuar pas një konflikti pronësie me vëllanë e tij, të cilit e kishte kërcënuar me armën.

Gjithashtu më 26 dhjetor të 2020, një sasi tritoli i ishte vënë mjetit tip fouristradë X5, të Bandulës që ishte i parkuar pranë shtëpisë së tij, ku nga shpërthimi nuk pati të lënduar.

Top Channel