Faqja e internetit e qeverisë finlandeze u hakua në të njëjtën kohë kur Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim përpara parlamentit vendas dhe vetëm disa orë pasi ligjvënësit në Finlandë nisën një shtysë të re për anëtarësimin e vendit në NATO.
Websitet e qeverisë, ministrisë së mbrojtjes dhe asaj të punëve të jashtme u bënë papritur të padisponueshme për përdoruesit.
Pak më herët, zyrtarë të ministrisë finlandeze të mbrojtjes kishin raportuar një shkelje të hapësirës ajrore finlandeze nga një avion shtetëror rus, një IL-96-300, për tre minuta jashtë bregut jugor të vendit.
Si për t’i shtuar edhe më tej tensionet në rritje mes vendeve kufitare, Finlanda dëboi dy diplomatë rusë dhe ndërpreu vizën e një të treti në shenjë proteste ndaj pushtimit të Ukrainës.
Shkeljet e sigurisë erdhën pasi presidenti ukrainas, Zelensky u kërkoi ligjvënësve finlandezë që të vendosnin ndaj Rusisë sanksione “koktej molotovi” , sic i quajti ai, duke u kujtuar kështu pajisjet popullore të përdorura nga finlandezët në luftën e tyre kundër Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov reagoi duke thënë se nëse Finlanda dhe Suedia bashkohen me NATO-n, atëherë Rusia do të duhet të “ribalancojë situatën” me masat e veta. Pushtimi i Ukrainës, për të cilin Moska thotë se synon ndër të tjera të degradojë potencialin ushtarak të saj dhe të parandalojë që ky vend të bëhet urë lidhëse për një sulm të NATO-s ndaj Rusisë, ka nxitur dy shtetet nordike të konsiderojnë bashkimin me aleancën e udhëhequr nga SHBA.
Nëse të dy vendet bashkohen, “ne do të duhet ta bëjmë krahun tonë perëndimor më të sofistikuar në drejtim të garantimit të sigurisë sonë,” tha Peskov për Sky News të Britanisë.
Top Channel