Policia e Korçës ka bërë të mundur arrestimin e 4 shtetasve, të cilët u kapën me 72 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si kanabis.
Kjo është faza e gjashtë e këtij operacioni policor të koduar “Restart”, ku që nga fillimi janë ndaluar 16 persona dhe 445.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis e sekuestruar.
SI rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– K. S., 35 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.
– B. S., 38 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.
– B. K., 26 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.
– I. C., 30 vjeç, banues në fshatin Çetë, Devoll.
Shërbimet e policisë, bënë lokalizimin e mjetit tip “Mercedes-Benz”, në afërsi të hyrjes së fshatit Miras, Devoll, me drejtues shtetasin K. S.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 65 pako, me peshë totale 69 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 35-vjeçarit, iu gjetën e sekuestruan edhe 3 kg të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një sasi municioni luftarak.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezultoi se bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal, janë edhe shtetasit B. S; B. K. dhe I. C.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”.
Top Channel