134 ditë pas ndeshjes së fundit në shtëpi, të fituar 1-0 ndaj Andorrës, kuqezinjtë do të rikthehen në “Air Albania”, për një miqësore ndaj Gjeorgjisë.

Atmosfera për rreth ekipit kombëtar është pozitive, motivuar gjithmonë nga krenaria që injekton çdo ndeshje e kuqezinjve, loja e mirë kundër një kundërshtari si Spanja dhe mbi të gjitha kërshëria për të ndjekur çdo ndeshje të idhujve tanë të rinj në shtëpi.

Ndonëse një miqësore, gjithnjë e më të pakta tanimë, nuk ka ngarkesën emocionale dhe pritshmëritë e një ndeshje zyrtare, sërish kundër Gjeorgjisë janë të shumta përgjigjet që duam.

E para, sa i takon rezultatit. Përtej çdo justifikimi, objektivi kryesor i çdo ndeshje është fitorja. Ndaj Gjeorgjisë suksesi do të jetë i mirëpritur për të injektuar besim dhe entuziazëm tek një grup futbollistësh, në testin e fundit përgatitor para ndeshjeve ndaj Islandes dhe Izraelit për Nations League.

Na duhet gjithashtu për të forcuar lidhjen e fortë me tifozerinë të pranishme në stadium dhe të gjithë ata që do ta ndjekin nëpërmjet transmetimit live në Supersport 2. Një fitore për të përmirësuar statistikat, jo pozitive me një kundërshtar tanimë inferior, teksa në 13 ndeshje numërojmë vetëm 3 fitore, 3 barazime dhe plot 7 humbje.

Testi ndaj Gjeorgjisë pret përgjigje pozitive nga secili nga futbollistët e përzgjedhur nga trajneri Edi Reja. Praktikisht, njëjtë sikundër Spanjës, sa i takon disiplinës taktike, harmonisë dhe sakrificës mes futbollistëve dhe dëshirës së çdonjërit për të dhënë maksimumin dhe për të kontribuar për fitoren.

Njëkohësisht një përgjigje pritet edhe nga trajneri Edi Reja. Për strategjinë që do të duhet të zgjedhë ndaj një kundërshtari i cili pozicionohet në vendin e 86 në renditjen e FIFA-s dhe që ka në mazhorancë në përbërje futbollistë nën kontratë me klube të kampionateve jo elitarë të kontinentit.

Nëse ndaj Spanjës zgjedhjet rezultuan të goditura, tanimë nga kuqezinjtë presim një skuadër agresive në fazën sulmuese dhe të kujdesshme në fazën mbrojtëse. Na duhen më shumë futbollistë, që krijojnë dhe janë të aftë për të zgjidhur me shpejtësi situata në zonën kundërshtare.

Ndonëse skema e preferuar e trajnerit 3-5-2 ka rezultuar e suksesshme dhe e ka ndihmuar për të patur një bilanc pozitiv në 28 ndeshjet në stoli kuqezi ku numëron 13 fitore, 4 barazime dhe 11 humbje, ndaj Gjeorgjisë mund të provojë një rreshtim të ri, si një plan B apo si një alternativë më shumë për të parë një skuadër më sulmuese në fushën e lojës.

Përgjigjet që duam për miqësoren kundër Gjeorgjisë, në program këtë të martë në orën 18:00 në “Air Albania” mund të jenë të shumta, por secila do të marrë vlerësimin maksimal, nëse realizohet më kryesorja, fitorja.

Top Channel