Ashtu si në të gjithë botën, edhe Tirana iu bashkua lëvizjes mbarë globale për mbrojtjen e planetit të Tokës.
Mbrëmjen e djeshme, për 60 minuta, në Sheshin Skënderbej u fikën dritat dhe në shenjë solidariteti u ndezën 60 qirinj nga të rinjtë që kishin mbushur sheshin, të cilët formuan flamurin me mbishkrimin “Peace for Ukraine”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm reflektimi për mbrojtjen e shtëpisë tonë të përbashkët, Tokës, por edhe për të dhënë mesazhin e paqes kudo në botë. “Ka shumë njerëz që, ndoshta, atë që po ndodh në Ukrainë e shohin si diçka të largët, që nuk na prek. Meqë është “Ora e Tokës” dhe meqë është dita ku ne marrim 60 minuta dhe fikim dritat kryesore të qytetit, është një mënyrë për të reflektuar, për të menduar se nuk jemi një ishull i vetmuar, që nuk ndikohemi nga gjërat që ndodhin në botë. Kur Rusia pushton Ukrainën është nje lufte që na impakton edhe ne, tregun global, impakton bursën, çmimin e naftës, çmimin e gazit. Ndoshta, nuk jemi sot në gjendje që të ndalojmë një luftë, Shqipëria jonë e vogël, Tirana jonë modeste, nuk është aktori kryesor që mund të ndalojë luftën, po është një aktor modest që mund të japë një mesazh. Unë besoj se çunat dhe gocat e gjimnazeve tona, të liceut tonë, kane dhënë një super mezash sot dhe meriton gjithë duartrokitjet dhe mbështetjen tonë,” u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se kjo luftë dhe pasojat e saj duhet të na shërbejnë të gjithëve për të ndryshuar qasjen ndaj mënyrës së jetesës edhe në funksion të një jetese në një mjedis më të shëndetshëm.
“Sot është ndoshta momenti që secili të reflektojë, jo vetëm për ato institucione që janë bërë pjesë, për ato organizata Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë, të gjitha shoqatat që merren me mjedisin përditë, po ndoshta është momenti për të reflektuar si njerëz, si qytetarë, si konsumatorë. Mënyra se si ne sillemi me ambientin, mënyra si sillemi me përdorimin e tejskajshëm te makinave, mënyra se si ne krijojmë një varësi të jashtëzakonshme me automjetet, është një mënyrë se si ne ose kontribuojmë për luftën, ose kontribuojmë për paqen. Sot ku ne e kuptojmë që edhe çmimet botërore, edhe bursat, edhe tratativat që bëhen për një fuçi naftë, kanë parasysh sjelljen e konsumatorit, kanë parasysh varësinë që kemi nga makinat, kanë parasysh stilin tonë të jetesës, ndoshta ky është një moment që ne të reflektojmë pak.
Nëse ka disa distanca që mund t’i bëjmë në këmbë, nëse ka disa udhëtime që mund t’i bëjmë me autobus, nëse ka disa rrugë që mund t’i bëjmë me biçikletë, në një vend që e ka bekuar Zoti me 300 ditë diell, atëherë secili prej nesh mund të japë një kontribut të vogël. Sot nuk kërkohet që të marrim pushkën dhe të luftojmë në Ukrainë, po sot kërkohet që kjo varësi që kemi nga një industri e naftës dhe gazit, mund të bëhet fare mirë një pavarësi nga mënyra jonë e jetesës, nga stili ynë i konsumit dhe nga mënyra se si ecim edhe udhëtojmë në Tiranë.
Ndaj, do t’ju lutesha të gjithëve që këto 60 minuta t’i bëjmë 60 ditë, ndoshta t’i bëjmë 60 muaj, ndoshta t’i bëjmë 60 vite aksion të një jete të përgjegjshme, të njerëzve që e duan natyrën,” vijoi Veliaj.
Nisma “Earth Hour” e ka zanafillën në 2007 në Sidnei dhe u propozua nga “World Wilde Life Fund”. Dhjetëra kryeqytete të botës iu bashkuan projektit duke fikur për një orë dritat në zyrat qeveritare apo pikat turistike dhe simbolet shtetërore.
Top Channel